SBASHK-u i përgjigjet Nagavcit: Jasharaj nuk merr vendime krye në vete

Zenun Nimani nga SBASHK-u ka thënë se orët e humbura nuk do të zëvendësohen, me përjashtim nëse paraprakisht arrihet marrëveshje mes Ministrisë së Arsimit dhe SBASHK-ut.

“Edhe ne do ta respektojmë ligjin, sipas kontratës kolektive, orët e humbura nuk zëvendësohen, me përjashtim nëse paraprakisht nëse arrihet marrëveshje me Ministrisë e Arsimit, ata nuk janë të interesuar për marrëveshje, prandaj ne po respektojmë atë që e kanë nënshkruar vetë MA me SBASHK-un”, tha Nimani për “21 Live News” të RTV21.

Ndërkohë që, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë se moskompensimi i orëve të humbura për shkak të grevës është vepër penale.

Si kundërpërgjigje ndaj asaj që ka thënë Nagavci se “Rrahman Jasharaj duhet të vë përpara interesin e fëmijëve e jo interesat personale”, Nimani tha se “asnjëherë Jasharaj nuk merr vendime vet”.

Nimani tha se cilësime të tilla janë bërë edhe më herët, para grevës e gjatë grevës.

“Është shumë e keqe një gjë, që i veshet z.Rrahman Jasharaj. Ai nuk merr vendime vetanake, as krye në veti, këto janë vendime të anëtarësisë së SBASHK-ut”, tha Nimani.

Çfarë nëse nuk kompenzohen orët?

Nimani tha se kanë pritur, por se nuk ka dialog me Qeverinë.

“Nëse ndëshkohen me paga ose ndalen meditjet, shohim aspektet ligjore! Jo, kemi pritur por, nuk ka dialog”, tha Nimani.

Ndërkohë që Nagavci, është shprehur e bindur se kompensimi i orëve do të fillojë nesër, ndërsa ka theksuar se “inspektorët e arsimit do të jenë në terren dhe nëse nuk mbahet mësimi nuk do të ketë kompensim të pagës”./21Media 

Back to top button
close button