Seanca e “veteranëve të rrejshëm” shtyhet për 14 mars

Seanca do të mbahet në ora 10:00

Ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj 12 të akuzuarve në rastin e njohur si “Veteranët e rrejshëm”. Kjo seancë ishte paraparë të mbahej sot nga ora 10:00, megjithatë kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj, ka thënë se në mungesë të kushteve ligjore seanca shtyhet.

Në fillim të seancës, gjyqtarja Nushe Kukaj Mekaj ka konstatuar se në seancë mungojnë tre të akuzuar: Smajl Elezaj, Rrustem Berisha dhe Faik Fazliu. Seanca e ardhshme do të jetë me 14 mars, në ora 10:00.

Në seancën e sotme ishte paraparë të diskutohej në lidhje me propozimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës për masë të përkohshme për ndalimin e pensioneve për “veteranët e rrejshëm”. Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj e Xhavit Jashari,  kanë marrë ftesat nga Prokuroria Speciale.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Gjithashtu, në aktakuzë është propozuar që Gjykata të lëshojë masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale. Sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68 milionë 153 mijë e 533 euro e 14 cent./21Media

Back to top button