​Seanca solemne e Prishtinës: 17 shkurti, kurorëzim i përpjekjeve shekullore

Për nder të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Komuna e Prishtinës ka mbajtur seancë solemne, ku u tha se 17 shkurti është kurorëzim i përpjekjeve shekullore të popullit të Kosovës.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se sot është dita më e veçantë e vitit për popullin tonë, sepse festohet përvjetori i shpalljes së Kosovës shtet.
Kryetari Rama duke kujtuar rezistencën e popullit shqiptar ndër vite dhe përpjekjet e LDK-së në krye me Ibrahim Rugovën, përmendi edhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
“Ne si brez ia dolëm me jetësua ëndrrën shekullore dhe me jetuar realitetin e saj, me jetuar Kosovën e lirë. Kemi dëshmuar për shumë vjet gjatë kohës sa ishim të shtypur rezistencë individuale e kolektive dhe këtë e kemi shprehur edhe në fusha si: arsimi, mjekësia, artet, sportet. Ia kemi hapur dyert njëri tjetrit duke krijuar shpirtin e përbashkësisë, shpresën për një të ardhme më të mirë, e kjo na është kthyer në pjesë të pandashme të asaj që jemi sot. Në atë kohë të vështirë frymonim si një, ishim një, ku e institucionalizuam përpjekjen tonë me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e drejtuar nga Ibrahim Rugova, u bë strumbullar i përbashkësisë sonë dhe forca kryesore politike gjatë viteve 90-ta. Vizioni i Rugovës për Kosovën e pavarur bazohej në parimet e demokracisë, të drejtave të njeriut të bashkëjetesës paqësore me vendet fqinje… Dhe s’do mend në një ditë si kjo kur shënojmë 15-vjetorit të pavarësisë, kujtojmë edhe rolin e pashoq të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, theksoi ai.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina tha se 17 shkurti është kurorëzim i përpjekjeve shekullore të popullit të Kosovës.
“Në historinë moderne të shqiptarëve, veçanërisht shqiptarëve në Kosovë, 17 shkurti shënon datën më të madhe, më të rëndësishme, pikën e kthesës së Epokës e cila ndan të kaluarën dhe ndërton të ardhmen. 17 shkurti është kurorëzim i përpjekjeve shekullore të popullit të Kosovës. Është pika ku përputhet pasioni dhe lufta për liri dhe pavarësi të një populli të nënshtruar me represion e gjendjes sistematike të luftës. Rruga deri te kjo ka qenë një trase e gjatë me sfida e sakrifica të shumta”, theksoi Kupina. Në këtë ditë festive, kryetari ka ndarë mirënjohje për fotografin Hazir Reka.

Back to top button