Sekretari Blinken u uron shqiptarëve Pavarësinë: SHBA, krenare që ka Shqipërinë mike dhe aleate

Sekretari amerikan i shtetit, Antony J. Blinken përcolli një mesazh urimi me rastin e festave të flamurit dhe pavarësisë së Shqipërisë.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgëzoj popullin e Shqipërisë për 109-vjetorin e Pavarësisë. Miqësia jonë e thellë dhe e qëndrueshme daton më shumë se një shekull nga koha kur Presidenti Woodroë Wilson mbrojti prerazi pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris të vitit 1919”, shkroi kryediplomati amerikan në mesazhin e tij.
Ai theksoi se që nga ajo kohë, shqiptarët kanë demonstruar forcë dhe qëndrueshmëri të madhe duke hedhur poshtë shtypjen e një diktature komuniste dhe duke ndërtuar një demokraci të përkushtuar ndaj tolerancës, të drejtave të njeriut dhe integrimit evropian.
Blinken theksoi se Shqipëria e demonstroi këtë frymë përsëri këtë vit duke hapur dyert e saj për afganët në nevojë, duke ofruar një strehë të sigurt ashtu si shqiptarët bënë për mijëra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe grupe të tjera që iknin nga persekutimi gjatë dekadave të fundit.
Blinken shkroi se në vitin 2021, SHBA dhe Shqipëria shënuan 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, duke reflektuar mbi gjithçka që amerikanët dhe shqiptarët kanë arritur së bashku që nga viti 1991.
“Sot ne jemi aleatë brenda NATO-s dhe vitin e ardhshëm do të shërbejmë së bashku në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbështetur institucionet demokratike të Shqipërisë, reformat në drejtësi dhe ekonomi, si dhe të ardhmen në Bashkimin Evropian. Ne presim të thellojmë edhe më tej miqësinë tonë dhe mbetemi krenarë që e quajmë Shqipërinë mik, partner dhe aleat”, përfundoi mesazhin Blinken, shkruan Oranews
Sot 109 vjet më parë në Vlorë përfaqësues të Vilajeteve shqiptare e kanë shpallur Pavarësinë e Shtetit Shqiptar.

Back to top button