Sekretari i Mbrojtjes: Amerika po i përgatit veprimet e saj

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për Ukrainën vazhdojnë të jenë të larta. Kërkesë për qetësi në rajon ka bërë edhe sekretari amerikan i mbrojtjes, Lloyd Austin.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, deklaroi se Amerika po i përgatit veprimet e saj për të cilat do të konsultohet edhe me komunitetin ndërkombëtar.
Ai deklaroi se situata do të jetë më e mirë nëse nuk do të shohim një sulm të Bashkimit Sovjetik në Ukrainë, duke iu referuar aksidentalisht Rusisë si ish-Bashkimi Sovjetik.
“Rusia ka një numër të konsiderueshëm forcash në rajonin e kufirit, dhe ne mbetemi të shqetësuar për këtë. Skenari më i mirë do të ishte mos të shohim një sulm të papritur të Bashkimit Sovjetik në Ukrain. Ne shpresojmë që Putin të jetë shumë më transparent, dhe që ne të punojmë për të zgjidhur çështjet dhe shqetësimet, dhe ta ulim temperaturën në rajon”, tha ai.
Austin i bëri këto deklarata në një konferencë për media gjatë vizitës së tij në Korenë e Jugut, pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e paralajmëroi Moskën t’i japë fund pranisë ushtarake afër kufirit me Ukrainën, pasi në të kundërt do të përballet me sanksione.
Blinken tha se kanë prova që Rusia po përgatit një inkursion në vendin fqinj.
Blinken sot u takua me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov në margjinat e takimit ministror të OSCE-së në Suedi.
Ai që u deklarua për media pas këtij takimi ishte ministri rus, i cili shprehu optimizëm për çështjen ukrainase.
“Ne jemi të interesuar të gjejmë zgjidhje për çështjen e Ukrainës. Kolegët tanë amerikanë disa herë kanë ofruar ndihmën e tyre, pa shkatërruar formatin e Normandisë, për të rikthyer një kanal të veçantë komunikimi që ka ekzistuar nën administrata të kaluara. Jemi gati për këtë. Nuk kam dyshim se dalja e vetme nga kjo krizë e marrëdhënieve që është shumë e tensionuar, është gjetja e një balanci të interesave”., tha ai.
Vladimir Putin nga ana e tij më herët u shpreh se Moska kërkon garanci nga Perëndimi që do të përjashtonte çdo zgjerim të mëtejshëm të NATO-s dhe vendosjen e armëve të saj pranë kufirit të saj.
Duke folur në një ceremoni në Kremlin, ku pranoi letrat kredenciale nga ambasadorët e huaj, Putin theksoi se Rusia këmbëngul për “garanci të forta, të besueshme dhe afatgjata të sigurisë së saj”.
Një ditë më parë, ai e kishte paralajmëruar ashpër NATO-n kundër vendosjes së trupave dhe armëve të saj në Ukrainë, duke thënë se ajo përfaqëson një vijë të kuqe për Rusinë dhe do të shkaktonte një reagim të fortë./21Media

Back to top button