Sekuestrimi i 400 kg kokainë në fazën e hetimeve

 

Javë më parë janë sekuestruar 400 kilogramë drogë të llojit kokainë në Lipjan, për çka Gjykata Themelore ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për shtatë të dyshuarit të përfshirë në këtë rast.

Për 400 kg kokainë Lumezi tha se është në fazën e hetimeve dhe nuk mund të jap informata.

“Rasti i kokainës është në fazën e hetimeve dhe nuk mund të jap informata, me ç’rast tregon që ka një bashkëpunim të mirë për koordinim të hetimit. Me këtë rast ekskluzivisht është duke u marrë Prokuroria e Kosovës, por jemi duke komunikuar vazhdimisht me Prokurorinë e Posaçme të Shqipërisë”, tha ai.

Lumezi paralajmëroi se do të ketë edhe aksione të tjera të përbashkëta, teksa shtoi se kokaina ndodhet në Polici dhe se po ruhet nga policia.

Këto deklarata Lumezi i bëri gjatë ceremonisë së nënshkrimit të memorandum mirëkuptimit mes Prokurorisë së Kosovës dhe Shqipërisë për bashkëpunim në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave, terrorizmit dhe veprave tjera penale.

Marrëveshja u nënshkrua nga kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme të Republikës së Shqipërisë (SPAK), Arben Kraja, teksa u vlerësua se si e tillë, kjo marrëveshje do të kontribuojë në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe integrimin evropian të të dyja shteteve.

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi tha se përmes këtij memorandumi synojnë të rritin bashkëpunimin me Shqipërinë për të luftuar dukuritë negative si krimin e organizuar, korrupsionin, terrorizmin dhe forma të tjera të krimit.

Back to top button