Sekuestrohen mbi 85 mijë euro në monedha 2-euroshe të falsifikuara, gjashtë të arrestuar

Personat e arrestuar me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, si dhe brenda afateve kohore ligjore do të bëhet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Gjashtë persona janë arrestuar të mërkurën të dyshuar për veprën penale falsifikim i parasë, njofton Prokuroria Speciale e Kosovës.

Sipas njoftimit, të njëjtit kane qenë shpërndarësit e parave të falsifikuara, konkretisht monedhave metalike dy (2) €uro të falsifikuara. Tre nga personat e dyshuar janë shtetas nga Maqedonia e Veriut, dhe tre të tjerë shtetas të Kosovës.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), dhe Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka realizuar një operacion gjatë të cilit është identifikuar një grup i cili merrej me prodhimin/shpërndarjen dhe futjen në treg të parave të falsifikuara, të cilat dyshohet se janë prodhuar në një shtet fqinj me Kosovën, dhe me pastaj nga grupe kriminale shpërndahen në shtetet e rajonit.”, thuhet në njoftim.

Po ashtu bëhet e ditur se nga ky operacion janë sekuestruar thasë me nga 2 €uro metalike në vlerë prej tetëdhjetë e pesëmijë e dhjetë (85.010.00) euro, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara. Po ashtu, janë sekuestruar katër (4) vetura të cilat janë përdorur nga personat e arrestuar dhe shtatë (7) telefona celularë./21Media

Back to top button