Sekuestrohen rreth 28 mijë euro, dyshohet të jenë të falsifikuara
Policia e Kosovës ka njoftuar se është iniciuar një rast i ‘falsifikimit të parasë’.
Sipas policisë, fillimisht është trajtuar nga zyrtarë policorë të Stacionit Policor ‘Jugu’ në Prishtinë e më pas lënda i ka kaluar hetuesve policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
“Dy të dyshuar: Sh.A., (viti i lindjes 1991, mashkull kosovar) dhe E.I., (viti i lindjes 1993, mashkull kosovar), si arkëtarë të një ndërmarrjeje, kanë deponuar në një nga bankat e kryeqytetit një shumë të parave prej 37 968 (tridhjetë e shtatë mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e tetë) euro. Nga kjo shumë, dyshohet se 27 935 (njëzet e shtatë mijë e nëntëqind e tridhjetë e pesë) euro, janë të falsifikuar. Paratë që dyshohet të jenë të falsifikuara janë monedha metalike me prerje dy dhe një euro (13 746 x 2 = 27492 euro dhe 443 x 1=443 euro, pra gjithsej 27935 euro)”, thuhet në njoftim.
Njësia e forenzikës ka bërë sekuestrimin e monedhave që dyshohet të jenë të falsifikuara dhe më pas të njëjtat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme për të vërtetuar origjinalitetin e tyre.
Për rastin është njoftuar prokurori dhe me aktvendim të tij, rasti do të zhvillohet në procedurë të rregullt.