Selektori Shabani shpalli listën për ndeshjet kualifikuese

 

Selektori i Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave, Agron Shabani ka shpallur dje listën e lojtareve, në të cilat llogarit për kualifikimet e ardhshme.

Federata e Hendbollit të Kosovës ka bërë të ditur se Kombëtarja e Kosovës prej 3 deri më 5 qershor në Prishtinë do të luajë në Grupin A të fazës së parë kualifikuese për ”Euro 2022”.

”Më 3 qershor vajzat tona takohen me Qipron. Më 4 qershor është ndeshja me Luksemburgun, ndërsa më 5 qershor është ndeshja më e rëndësishme me Portugalinë. Kosova e Portugalia vlerësohen pretendente për vendin e parë në grup që siguron avancimin tutje. Njoma Zogaj, Rinesa Uka dhe Alma Nivokazi janë emra të rinj në listën e selektorit Shabani. Ndërkohë në Kombëtare janë kthyer shumë lojtare si Pashke Marku, Burneta Rama, Blerta Ahmetxhekaj, Areta Istrefi, Alberina Halitaj. NIvokazi e Istrefi janë graduar nga Kombëtarja U19 dhe kanë rastin të dëshmohen. Lojtaret tjera ishin edhe në ndeshjet e kaluara në Austri, javë më parë”, është bërë e ditur në postim.

Ndëra, tutje është bërë e ditur se për ndeshjet e qershorit do të ketë mungesa të rëndësishme.

”Edhe për ndeshjet e fillimit të qershorit, Kombëtarja përballet me mungesa të rëndësishme. Për shkak të lëndimit mungojnë Leonora Demaj e Kristina Ukaj, e po ashtu Albana Arifi. Mungojnë edhe motrat Sara e Rina Rexhepi. Ndonëse do të grumbullohet, Mirjeta Bytyqi ende nuk e ka të drejtën të luaj për Kosovën. Ajo do ta fitoj së shpejti të drejtën dhe do të jetë përforcim i madh për Kombëtaren tonë. Kombëtarja mblidhet të mërkurën në Hotel Internacional në Prishtinë”, thuhet tutje në postim.

Kombëtarja do të përgatitet në kryeqytet për ndeshjet e rëndësishme kualifikuese./21Media

Back to top button