Selimi pyetje opozitës: Qëndrimin e kujt po e mbroni – të Haradinajt apo Veselit?
Kuvendi po mbanë seancën e jashtëzakonshme
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi vlerëson se opozita nuk është duke e ditur se pse ka thirrur seancën e jashtëzakonshme për taksën 100 përqind ndaj Serbisë. Këtë deputeti Selimi e bazon në mos-koordinimin e partive opozitare dhe qëndrimet e ndryshme të tyre në këtë kauzë.
Krahas kësaj, deputeti i VV-së tha se partitë opozitare në këtë seancë do të duhej të parashtronin edhe një projekt-rezolutë, e cila sipas tij po mungon. “Duke marrë parasysh se subjektet opozitare nuk kanë paraqitur një koncept të përbashkët, shtrohet pyetja çka po kërkon sot opozita, mbajtjen, apo largimin e taksës”, tha ai.
Shefi i grupit parlamentar të VV-së i parashtroi pyetje opozitës, se cilin qëndrim po e mbrojnë
“Cilit qëndrim të liderëve të juaj do të merrni parasysh, atë të AAK-së, Ramush Haradinaj, apo PDK-së, Kadri Veselit, apo presidentit Hashim Thaçi”, tha ai duke shtuar se qëndrimi i liderëve opozitarë është i ndryshëm pasi Haradinaj kërkon të mos hiqet taksa, ndërsa Veseli dhe Thaçi po.
Kuvendi i Kosovës po mbanë seancën e jashtëzakonshme, pas paralajmërimeve të kryeministrit, Albin Kurti për heqjen e tarifës 100% ndaj mallrave serbe e boshnjake. Kurti ka paralajmëruar se më 15 mars do ta heqë tarifën ndaj lëndës së parë nga Bosnja e Serbia./21Media