Selmanaj: 90 % e deputetëve të VV-së kanë hapur xhirollogari kur janë bërë deputetë

(Lajm i përditësuar)
Selmanaj: 90 % e deputetëve të VV-së kanë hapur xhirollogari kur janë bërë deputetë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka thënë se është për herë të parë në historinë e parlamentarizmit në Kosovë, ku sipas tij, 90 për qind e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje kanë hapur xhirollogari bankare kur janë bërë deputetë të Kuvendit të Kosovës.
“I bie që ata kurrë në jetën e tyre para se të bëhen deputetë nuk kanë punuar ose së paku në aspektin formal nuk kanë punuar dhe që i bie që ata nuk e kuptojnë rëndësinë se ku janë aty, për çka janë dhe cili është roli i deputetit”, ka thënë Selmanaj në emisionin “Click” të RTV21, ku u diskutua për një numër të seancave që janë shtyrë ose janë pamundësuar që të zhvillohen për shkak të mungesës së deputetëve në sallën e Kuvendit.
Selmanaj: Ka një mungesë serioziteti të punës së Kuvendit, vjen për shkak të arrogancës së numrave
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka thënë se ka një mungesë serioziteti të punës së Kuvendit të Kosovës.
“Që nga fillimi i kësaj legjislature, përkundër që kemi një shumicë të konsoliduar, një shumicë bukur të madhe të deputetëve të mazhorancës, ka një mungesë serioziteti të punës së Kuvendit”, ka thënë Selmanaj në emisionin “Click” të RTV21.
Kjo sipas Selmanajt vjen për disa arsye. “E para vjen për shkak të arrogancës së numrave që qoftë Qeveria në raport me Kuvendin sillet, ose edhe shumica parlamentare me deputetë të opozitës”.
Selmanaj ka thënë se nuk ka një koordinim, një bashkëpunim dhe konsultë të mirëfilltë, çka sipas tij ka ndodhur më përpara.
Një numër i seancave janë shtyrë ose janë pamundësuar që të zhvillohen për shkak të mungesës së deputetëve në sallën e Kuvendit. Po ajo që e karakterizon këtë përbërje të Kuvendit është mungesa e shpeshtë e deputetëve të shumicës. Lëvizja Vetëvendosje ka 56 deputetë, nga 58 sa kishte vitin kur fitoi zgjedhjet dhe me partitë e komuniteteve pakicë jo serbe mund ta bëjnë kuorumin. Por sot, sërish nuk u mbajt një seancë. Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca u ndje i zhgënjyer./21Media