Serbët në veri në protesta kundër politikës së Vuçiqit dhe Listës Serbe në Kosovë

Në ditën e tretë të Krishtlindjeve Ortodokse, më 9 janar, në pjesën veriore të Mitrovicës, është paraparë protesta e serbëve të pakënaqur me politikën kosovare të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Protesta është caktuar për në 12.01 te monumenti i Car Llazarit në qendër të pjesës veriore të Mitrovicës, shkruan gazeta Danas. I pyetur se kush është organizatori i protestës, Ivan Miletiq përgjigjet – “të pakënaqurit nga veriu i Kosovës”.
Ai thotë se qytetarët e panë me heqjen e barrikadave se në cilin drejtim po shkon situata dhe se janë pajtuar që nuk do të pranojnë “as lojërat e Kurtit e as të Vuçiqit”.
Ai thekson se nuk u janë bashkuar organizatat formale dhe se nuk e dinë se sa njerëz do të vijnë duke pasur parasysh, siç thotë ai, frikën që ekziston tek qytetarët. Nebojsha Joviq, komisioneri i së ashtuquajturës Lëvizje për Mbrojtjen e Kosovës, ftoi qytetarët në të njëjtën protestë në kanalin YouTube srbin.info.
Miletiqi thotë se qytetarët edhe pse paraprakisht dyshonin në “qëllimet e sinqerta të Vuçiqit dhe të një pjese të Listës Serbe”, për herë të parë besuan se do të kishte “rezistencë të përbashkët” dhe se “Vuçiqi nuk do t’ia shesë Kurtit”.
Më herët kemi tentuar të organizojmë disa protesta për të mirën e qytetarëve, por nuk ka pasur sukses sepse njerëzit janë ftuar në momentin e fundit që të mos vijnë sepse protestat nuk kanë mbështetjen e pushtetit. Por shpresojmë që populli të çlirohet pas kësaj situate të fundit në të cilën jemi të gjithë të manipuluar, qytetarët do të çlirohen”, thotë Miletiq./21Media

Back to top button