Serbët paralajmërojnë bllokimin e rrugëve në drejtim të Kurshumlisë

“Serbët e zhvendosur nga Kosova sot do të bllokojnë qarkullimin në Rudar për tre orë nga ora 12:00 deri në 15:00 për të gjitha automjetet të drejtuara nga shqiptarët përmes Merdares, drejt Kurshumlisë, Nishit, Beogradit dhe më tej drejt Suboticës”, ka kumtuar Shoqata e Serbëve të Zhvendosur nga Kosova me seli në Kurshumli, shkruan mediumi serb, RTS.

Sipas raportimeve, bllokada e rrugës do të zbatohet për shkak të “terrorit” ndaj serbëve në Kosovë, ku në veçanti përmendet kryeministri Albin Kurti.

“Bllokada e rrugës do të mbahet çdo të hënë për tre orë, derisa të përfundojë terrori i përditshëm ndaj popullit tonë në Kosovë. Terrori që po përjeton populli serb dhe populli tjetër joshqiptar është bërë i padurueshëm dhe është shumë afër një konflikti me pasoja të paparashikueshme”, pretendohet në këtë kumtesë.

Kjo shoqatë pretendon se serbët e zhvendosur kanë pritur 25 vjet që të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të fillojnë një jetë të re me fqinjët e tyre shqiptarë “të cilët nuk kanë kryer krime”.

 

Back to top button