Serbia është ajo që e ka mohuar mundësinë e votimit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Serbia ka vazhduar me propaganda gjatë kësaj periudhe, që kanë synuar të paraqesin institucionet e Kosovës kinse kanë shkelur të drejtën e serbeve për të votuar. Por sipas saj, Serbia është ajo që e ka mohuar mundësinë e votimit.
“Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë dhënë të drejtë qytetarëve serb që kanë dy shtetësi, që të votojnë qoftë nëpërmjet zyrës ndërlidhëse, qoftë nëpërmjet postës apo edhe duke nënshkruar një marrëveshje bilaterale, e cila do të respektonte në tërësi praktikat më të mira ndërkombëtare në këtë drejtim. Pra kanë qenë tri opsione, asnjëra nga të cilat nuk është pranuar nga ana e Serbisë”, tha Osmani, shkruan rtv21.tv
Ajo falënderoi Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Policinë e Kosovës për rolin dhe punën e tyre në ditën e djeshme, sa u mbajtën zgjedhjet në Serbi, për të ruajtur paqen dhe sigurinë e qytetarëve.
E pyetur se a do të ndikojë kjo në dialog, presidentja tha se “nuk ka asnjë arsye të ndikojnë sa i përket neve si Kosovë, sepse edhe në këtë rast dëshmuam gatishmëri për të respektuar parimet më të avancuara sa i përket të drejtës në votë”.
“Kosova nuk ka kontribuuar në asnjë mënyrë që të tensionohet situata rreth dialogut”, theksoi presidentja.
Osmani tha se shpreson që presioni ndërkombëtar të fokusohet kah Serbia.
“Republika e Kosovës është punë e përfunduar”, përfundoi presidentja./21Media

Back to top button