“Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”

Kryeministri Albin Kurti sot u shpreh se hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale, por e qëllimshme.
Kurti deklaroi se fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar.
“Edhe në Zveçan kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës së njëjtë për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar. Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje.”, shkroi Kurti në facebook.
Ai iu bëri thirrje qytetarëve në veri që të ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.
“Sulmet e këtilla zjarrvënëse dhe kriminelët që i bëjnë ato nuk do të tolerohen. Policia e Kosovës është institucion profesional që duhet respektuar nga të gjithë. U bëj thirrje qytetarëve, sidomos në veri të Ibrit, pavarësisht a janë serbë, shqiptarë, boshnjakë apo romë, që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.”, shkroi tutje Kryeministri.
Ndryshe, rreth orës 01:00 pas mesnate është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve, e cila gjendet në objektin e komunës në Zubin Potok. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka theksuar se është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan, ku dyshohet edhe për një mjet shpërthyes./21Media

Back to top button