Sërish akuza kundër kryetarit të Kuvendit

Debati në kuvend për zv/ministrat e rinj të qeverisë

Janë deputetët e VMRO-DPMNE-së që po bëjnë zhurmë me qëllim. Me këtë formë po protestojnë kundër kryeparlamentarit Talat Xhaferit.

Atë po e akuzojnë se ka shkel rregulloren e punës së Kuvendit, meqë ka vënë sot në rend dite zgjedhjen e zëvendësministrave të ri!

Deputetët e opozitës, thonë se 10 ditë duhet afat për këtë t’u përgatit seanca, kurse materialin e pranuan mbrëmë para mesnate.

“Zotëri Talat Xhaferi, e shkeli këtë paragraf të nenit 68 gjatë zgjedhjes së qeverisë me arsyetim se kjo gjë është urgjente, por në rastin konkret me zgjedhjen e zëvendës ministrave me të vërtetë asgjë drastike nuk mund të ndryshohet, ndërsa ne për herë të parë kemi rast ku sot për sot zgjedhim menjëherë zëvendës ministra, të cilët në raste të ndryshme, do të zëvendësojnë anëtarë të qeverisë dhe do të kenë të drejtë të votojnë dhe kështu me radhë . Paramendoni nëse materiali është pranuar në 1:40 këtë mëngjes ka deputetë të cilët janë nisur drejt Kuvendit në orën 7 ose 8 të mëngjesit dhe nuk kanë arritur që ta lexojnë këtë material dhe kjo së pari është shkelje e rregullores së dyti është shkelje e praktikës së punës së Kuvendit, dhe nuk e di arsyen se pse po ndodh kështu”, tha Ilja Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Kryetari i kuvendit Talat Xhaferi, hedh poshtë akuzat për shkelje të rregullores së punës, dhe i tha opozitës se vendi nuk ka kohë për të humbur.

“Rregullorja parashikon që pika të vihet në rend dite më herët se dhjetë ditë. Këtë rregullore e kemi votuar edhe unë edhe ju dhe të gjithë të tjerët që kemi qenë këtu kur e miratuam rregulloren. Për këtë çështje mund të bisedojmë sa të doni, por nuk keni të drejtë dhe nuk keni argumente për atë që thoni. Së dyti, sa i takon tendencës “me forcë” , mendoj se sinonimi për këtë është i njohur dhe nuk ka nevojë që në kuvend të shpjegohet se çfarë nënkuptohet me nocionin “forcë” dhe prandaj ju lus që të lejoni të vazhdojmë me punë siç është paraparë me Rregullore”, u shpreh Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Si zgjidhje e ndërmjetme, u vendos që zgjedhja e zëvendësministrave të rinj, të jetë pika e fundit e rendit në seancën e sotme, ku do të zgjidhen 14 anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar./21Media

Back to top button