Sfidat e shëndetësisë në vitin që lamë pas! Zjarri në spitalin modular tragjedi e paharrueshme

Viti 2022 e gjeti Maqedoninë e Veriut sërish në luftë me virusin corona. Tani autoritetet po kërkojnë mënyra se si të bindin qytetarët që sa më shumë të vaksinohen.
Por të kthehemi një vit pas për të kujtuar se si ishte gjendja atëherë.
Në Janar 2021 po kërkohej zgjidhje përmes vaksinimit kundër COVID-19.
Qeveria e bëri gati planin për vaksinim. Në vend arritën edhe dy frigoriferë, me kapacitete për 100 mijë vaksina. Frigoriferët qëndruan të zbrazët sepse ende nuk kishte vaksina.
“Edhe tani kemi frigoriferë, por arritën edhe dy të tjerë që ishin paralajmëruar si donacion, dy janë këtu, presim edhe tre do të vijnë në dy javët e ardhshme. Një frigorifer ka kapacitet për 100 mijë doza vaksinash”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe (17.01.2021).
Shumë premtime për sigurimin e vaksinave anti-COVID. Shumica e qytetarëve me padurim po i prisnin, përderisa te të tjerët mbizotëronte frika dhe skepticizmi nga përbërja e tyre.
Kah mesi i shkurtit nisi procesi i vaksinimit, me vaksinat Pfizer të dhuruara nga Serbia. Me 17 shkurt mjekja në pension Gabriella Temellkova, u bë personi i parë në vend që u imunizua.
“Sigurisht që ndjehem më e sigurt, dhe shpresoj që me vaksinimin të ulet edhe numri i të infektuarve”, u shpreh Gabriella Temellkova (17.02.2021).
Muaji mars ishte piku i virusit. Rastet me COVID-19 dhe numri i viktimave shënojnë rritje, jetën nga fillimi i pandemisë e kishin humbur rreth 3.500 qytetarë.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe me propozim të Komisionit për Sëmundje Infektive vendosi për orë policore në të gjithë territorin e vendit edhe atë nga ora 22:00 deri në ora 05:00 të mëngjesit.
Në prill vijoi vaksinimi masiv nëpër salla sporti. Partia opozitare VMRO-DPMNE protestoi për disa herë përpara godinës së ministrisë së Shëndetësisë dhe kërkonte dorëheqjen e Filipçes.
Nga ana tjetër ekipi i Klinikës së Kardiokirurgjisë realizoi transplantimit e dytë të zemrës që përfundoi me sukses.
Në maj 35 fëmijë nga mosha 2 deri në 4 vjeç me simptoma të njëjta kërkuan ndihmë mjekësore në Spitalin e Kumanovës. Ishin helmuar nga ushqimi në kopsht.
Po në muajin maj Ministria e Shëndetësisë arrin marrëveshje me specializantët privatë. Të njëjtëve, gjatë periudhës së specializimit t’u paguhet sigurimi shëndetësor dhe orët e kujdestarisë.
Kah fundi i muajit maj u zbutën masat anti-COVID, u hoq detyrimi për maskat në ambiente të hapura dhe u lejuan të realizohen dasmat dhe eventet, në ambiente të hapura.
Me 7 qershor u detektua rasti i parë me llojin indian te një pacient.
Në muajin korrik mbi 10 mijë qytetarë u vaksinuan në Serbi.
Ndërsa në gusht u bë i obligueshëm vaksinimi për të vizituar objektet gastronomike dhe qendrat tregtare.
“E harrova në shtëpi. Por jam i vaksinuar me dy doza në Poliklinikën Bukuresht. Çfarë do të bëni tash? Do të hidhem në Vardar. Çfarë të bëj. Unë nuk shkoj në lokal, unë po shkoj në treg”.
Nga 1 shtatori për të hyrë ose dalë nga Maqedonia u vendosen kushte, certifikatë vaksinimi, test PCR ose Antigjen ose dëshmi se e ka kaluar virusin së fundmi.
“Në Preshevë u nisa me shku. Po prej sot duhet test ose vaksina. Unë nuk kam as test as vaksina. Do kthehem mbrapa çka të bëj”.
Numri i rasteve pozitive bie, por jo edhe numri i viktimave. Po me këtë datë si pasojë e virusit korona ndërron jetë një 15 vjeçare, ndërsa vetëm një ditë pas nga Spitali i Tetovës bëjnë të ditur se vetëm në një familje kanë ndërruar jetë tre anëtarë prindërit dhe e bija.
Po në këtë muaj ndodhi edhe tragjedia në Tetovë, ku u dogj spitali modular, me çka humbën jetën 14 pacientë.
Në tetor realizohet skriningu i i nxënësve për Covid-19. Të parët që u testuan ishin nxënësit e shkollave të mesme, gjimnazit “Zef Lush Marku” dhe shkolla e mesme e mjekësisë “Pançe Karagjozov”. (20.10.21)
Në dy muajt e fundit (nëntor, dhjetor) ishte ulur interesimi për vaksinim. Ndërkaq Ministri në largim Venko Filipçe nuk ndërmori asnjë masë shtesë për të nxitur imunizimin. Në vendin tonë u paraqit edhe rasti i parë me llojin Omicron, mirëpo për shkak se autoritetet shëndetësore vlerësonin se situata është e qetë, nuk u vendosën masa shtesë restriktive.
Ndërkaq me 26 dhjetor një Në Klinikën e Pulmologjisë në Shkup, një pacient që po trajtohej me mbështetje të oksigjenit, kishte nxjerrë maskën dhe kishte ndezur një cigare. Për shkak të pranisë së oksigjenit, në dhomë është ishte përhapur zjarr me çka pacienti pësoi djegie të lehta në fytyrë dhe gjoks.
Ne dhjetor gjithashtu u bë e ditur se në se në vend të Filipçes, do të vijë Bekim Sali nga Alternativa.
Bota gjatë gjithë vitit 2021 u përqendrua në zhvillimet rreth virusit, ndërsa masat për të marrë nën kontroll pandeminë u bënë agjenda kryesore e të gjitha vendeve./TV21

Back to top button