Sfidues për qeverinë mbetet kthimi i 10 për qind të mjeteve të tërhequra në Trust më 2020

(Lajm i përditësuar)
Sfidues po konsiderohet të jetë për Qeverinë fillimi i rimburësimit për 10 për qind të mjeteve të tërhequra nga qytetarët në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës -Trust në vitin 2020.
Gjatë shqyrtimit të raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2021, deputeti nga Vetëvendosje, Armend Muja ka theksuar se mbetet sfiduese në vitet në vazhdim, detyrimi për qeverinë e Kosovës në vlerë prej 105 deri 115 milionë euro që duhet t’u kthehen qytetarëve kontrbutdhënës në Trust.
“Ajo çka mbetet sfiduese në vitet në vazhdim në bazë të këtij raporti, janë tërheqjet e vitit 2020 që kanë krijuar një detyrim për qeverinë e Kosovës, i cili mund të jetë në vlerë prej 105 deri 115 dhe ai duhet të kthehet. Pra tërheqjet prej 10 për qind të Trustit në vitin 2020 duhet të paguhen nga qeveria në vitet në vazhdim. Mbi bazën e të gjitha këtyre të dhënave të performacës së mirë buxhetore dhe performancës së mirë nga investimet dhe shpenzimeve të ulëta operacionale ne e mbështesim këtë raport dhe të njëjtin raport i kërkojmë deputetëve që ta votojnë”, ka thënë Muja.
Kuvendi ka miratuar Raportin vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2021 dhe ka formuar komisionin ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave.
Pas kësaj kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka mbyllur punimet e kësaj seance. Kuvendi gjatë ditës ka miratuar edhe Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, po ashtu edhe për Projektligjin për mbështetjen e punëve publike.
Aliu tha se rehabiltimi natyrës së degraduar nuk është i lehtë
Kuvendi në seancën e sotme, me 66 vota pro sot ka miratuar në parim Projektligjin për vlerësimin e ndikimit në mjedis, të cilin e ka arsyetuar para deputetëve, ministri i Ambientit, Liburn Aliu.
Ministri Aliu ka thënë se mungesa e ekspertizës dhe vullnetit të mirë, ka ndikuar të degradohet natyra e vendit tonë.
Megjithatë, ai shpreson se do të rehabilitohet dhe adaptohet natyra e degraduar, por shtoi se kjo nuk do të jetë e lehtë.
“Mungesa e ekspertizës dhe vullnetit të mirë, ka sjellë deri te degradimi natyrës. Kjo është situatë në të cilën jemi, dhe ne duhet tash çka të bëjmë? Ta rehabilitojmë, duhet ta adaptojmë, duhet të përpiqemi çka mund të kthehet mbrapa mund të kthehet, por nuk është situatë e lehtë. Ta zëmë në Lumbardh të Deçanit i kemi tre hidrocentrale, dy prej tyre i ka ndalur gjykata, një prej tyre e kemi ndal ne. Pse? Sepse ky ka qenë ndryshe prej lejes mjedisore në fillim. Tash çka jemi duke bërë, duhet me adaptu situatën. Duhet me u marrë me gjendjen e krijuar dhe duhet me kriju mundësi, sepse investimi ka ndodhur, objekti i ndërtuar është i legalizuar”, ka thënë ai.
Kuvendi ka miratuar edhe Raportin vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021.
Shtyhet shqyrtimi i projektligjit për faljen e masave gjatë pandemisë
Me 63 vota për, deputetët kanë miratuar rekomandimet nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2021 dhe Raportit të Auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radiotelevizionin e Kosovës”.
Në mungesë të propozuesit të rezolutës kundër sulmeve seksuale ndaj integritetit seksual, kjo pikë është shtyrë për më vonë.
Në një nga seancat e ardhshme është shtyrë edhe shqyrtimi i projektligjit për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së Pandemisë COVID-19.
“Në mbledhje të kryesisë kemi marrë vendim, po ky vendim nuk ka dalluar pozitë-opozitë, kemi marrë vendim me unanimitet të gjitha partitë politike që propozuesi i këtij projektligji që ka ardhur në formën e një peticioni në Kuvendin e Kosovës, prej propozuesit edhe organizuesit të peticionit t’i bartet një deputeti që ata e caktojnë ta propozojë këtë projektligj para Kuvendit. Me këtë janë pajtuar të gjithë anëtarët e kryesisë dhe deri më tash nuk kemi pasur prej organizatorit ndonjë përfaqësues që ta caktojë. Kështu që kjo çështje mbetet në njërën prej seancave të ardhshme”, ka thënë Konjufca.
Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për mbështetjen e punëve publike
Me 36 vota pro, Kuvendi sot ka miratuar në parim Projektligjin për mbështetjen e punëve publike.
Sikurse për Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, ashtu edhe për Projektligjin për mbështetjen e punëve publike, kuvendi ka votuar mocionin e propozuar nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes për shmangien e rregullores së Kuvendit për shqyrtimin e këtyre dy projektligjeve me procedurë të përshpejtuar në një seancë të re më 8 nëntor.
Shefja e këtij grupi, Mimoza Kusari Lila ka thënë se këto dy projektligje kanë rëndësi të veçantë për shkak të ngritjes së inflacionit në vend.
Ajo ka treguar edhe procedurat për shqyrtimin në lexim të dytë për këto projektligje.
“Pas miratimit në shqyrtim të parë, amendamentet e këtij projektligji mund t’i adresohen Komisionit funksional deri në orën 13:00 të datës 31 tetor 2022. Komisioni funksional deri në orën 10:00 të datës 2 nëntor 2022 duhet të shqyrtojë projektligjin për mbështetjen e punëve publike dhe raportin me rekomandime t’ia paraqes komisioneve të përhershme. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit të bëhet në seancë të re plenare të datës 8 nëntor prej orës 11:00”, ka thënë ajo.
Projektligji për mbështetjen e punëve publike ka për qëllim të krijojë një mekanizëm për kompozimin deri në një masë të caktuar të rritjes së çmimeve të materialeve ndërtimore dhe punëve përcjellëse të kontratave për punë të lidhura në mes të autoriteteve kontraktuese dhe operatorëve ekonomik.
Në seancën e sotme Kuvendi ka miratuar edhe në lexim të dytë projektligjin për Qeverinë e Kosovës.
Derisa me 63 vota deputetët kanë votuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë. Edhe për këtë projektligj është vendosur të shqyrtohet në lexim të dytë më 8 nëntor në seancën plenare.
​AAK do ta dërgojë Ligjin për Qeverinë në Kushtetuese
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do ta dërgojë Ligjin për Qeverinë në Kushtetuese.
Kështu ka njoftuar shefi i deputetëve të kësaj partie, Besnik Tahiri i cili tha se përmes këtij ligji i jepet të drejtë zëvendësministrit për votim.
Ai në seancë plenare ka theksuar se po shkelen edhe dy funksione të rëndësishme të Kuvendit të Kosovës.
“Kjo seancë që po mbajmë tash sapo është duke i shkelur dy funksione të rëndësishme që ne i kemi si institucional. Unë e kuptoj që Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje paska arritur të mbledhur pas një kohe të gjatë në Kuvend 63 vota. Mirëpo, të anashkalohen të gjitha procedurat të shqyrtimit të ligjeve me rëndësi vitale, nuk është asgjë tjetër përveç shkelje e funksionimit dhe ndërhyrje në punën tonë që kemi në kryesi. Unë e kuptoj që këtë rregullorja e lejon, mirëpo kjo qasje është e gabuar dhe që nuk i bën nder këtij kuvendi. Po ashtu, dua të them këtu që ne sapo kaluam një ligj (Ligjin për Qeverinë), i cili në mënyrë antikushtetuese i jep të drejtë zëvendësministrit të votojë. AAK këtë ligj do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese, për shkak se jemi të bindur që kjo e drejtë që iu ka dhënë me ligj zëvendësministrave është kundër kushtetuese”, ka deklaruar ai.
Me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim në seancën e sotme është miratuar Ligji për Qeverinë.
Miratohet projektligji për Masat e Përkohshme për Produktet Themelore
Kuvendi i Kosovës miratoi projektligjin për Masat e Përkohshme për Produktet Themelore,
Nga 63  deputetë  sa ishin në seancë, të gjithë votuan pro këtij projektligji, ndërsa nuk pati kundër dhe abstenime.
Haxhiu: Jam e gatshme të jap dorëheqje nëse ka ndërhyrje politike në drejtësi
Në seancën e sotme plenare, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka sfiduar opozitën se nëse e gjejnë vetëm një fjali në raportin për vendin ku thuhet se ka pasur ndërhyrje politike, atëherë ajo është e gatshme të jep dorëheqje nga pozita e saj.
Ministrja Haxhiu tha po ashtu se nuk ka ministra, as kryeministër e as deputetë që e thërret në telefon ndonjë gjyqtarë ose prokuror për ta zgjidhur ndonjë lëndë në sistemin e drejtësisë.
“Sa i përket raportit për vendin, për herë të parë që duhet ta pranoni se në Raportin (e Komisionit Evropian) për vendin nuk përmenden ndërhyrjet politike në sistemin e drejtësisë. Gjeni vetëm një fjali që thotë: “ndërhyrjet politike”, dhe unë jam e gatshme të jap dorëheqje. Aty përmenden interferimet, por jo politike sikurse në të kaluarën. Sepse nuk ka ministra, nuk ka kryeministër, nuk ka deputet që e thërret qytetarin e prokurorin në telefon për me zgjidhur një lëndë ose qysh me mbyll syrin për një lëndë”, theksoi ajo
Haxhiu u përgjigjet kritikave të PDK-së: Jemi shembulli më i mirë i një qeverie pa skandale korruptive
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është lavdëruar sot në Kuvend se në këtë qeverisje ka progres në sundimin e ligjit dhe përparime sipas vlerësimeve pozitive nga raportet ndërkombëtare për vendin.
Megjithatë, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka thënë se vendi ka regres sipas raporteve të huaja kredibile, e jo progres.
“Indeksi vjetor për sundimin e ligjit, prej momentit kur Qeveria Kurti është në qeverisje, ne kemi pasur vlerësime pozitive nga organizatat ndërkombëtare kredibile, qoftë nga Departamenti i Shtetit ose edhe Raporti për vendin, që raporti i fundit është ndër raportet më të mira për vendin. Natyrisht ka edhe shumë punë për të bërë. Ne nuk po themi që i kemi rregulluar krejt punët dhe s’kemi çka të bëjmë më. Por, duhet vlerësuar raportet kredibile për vendin. Sikurse edhe atë për Transparency International, ku Kosova kishte lëvizur 17 vende pozitivisht. Sikurse edhe këtë, Word Justice Project, që radhitemi e dyta në botë, si shteti që kemi shënuar përmirësim në këtë fushë dhe i pari në Evropë. Përse nuk janë të sakta qëndrimet e deputetes Deliu, është për faktin se në vitin 2020 kanë qenë 128 vende që janë vlerësuar, ndërsa në vitin 2022 janë 140 vende”, ka thënë ajo.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka thënë se po të kishte rangim pozitv Kosova për sundim të ligjit, kësaj do t’i gëzohej edhe opozita, por siç tha ajo vendi nuk është duke shënuar progres në këtë fushë.
“Po i referohem statistikave dhe po e them hapur që progresi në sundimin e ligjit dhe rangimit pozitiv të Kosovës do t’i gëzohej edhe opozita dhe për këtë nuk kam asnjë dilemë. E vërteta është që në vitin 2020 kemi qenë të radhitur në vendin e 54-të, e në fakt në 2021 Kosova ka pasur regres, jemi të radhitur në vendin e 60-të, dhe në këtë vit 2022 jemi në vendin e 57-të. Pra, nuk mund të quhet progres. Tash kemi dallime në tri poentime në Word Justice Project, që jemi tash më keq se sa që kemi qenë vite paraprake”, tha ajo.
Ministrja Haxhiu në kundër-replikë ndaj deputetes Deliu, ka thënë se Qeveria aktuale është shembull më i mirë i një qeverie, e cila nuk e ka asnjë skandal korruptiv.
Ajo ka thënë se kanë adresuar të gjitha rastet korruptive për qeverisjet e kaluara.
“Ne jemi shembulli më i mirë i një qeverie, që më shumë se një vit e gjysmë dhe nuk e ka asnjë skandal korruptiv. Jemi shembulli më i mirë, që shkeljet që i kemi gjetur nëpër institucione publike, i kemi dërguar në polici dhe prokurori. Po ashtu jemi shembulli më i mirë që zyrtarët e korruptuar që i kemi pasur nëpër institucione i kemi shkarkuar, pavarësisht se çka kanë bërë pastaj Këshilli dhe institucionet tjera. Unë vetë shumë zyrtarë i kam dërguar në polici dhe prokurori. Prandaj janë vlerësime të tilla, sepse njihet vullneti dhe progresi që jemi duke bërë në këtë drejtim. Kjo është çka po thotë qeveria jonë”, ka thënë ajo.
Konjufca “ndërmjetëson” mes VV-së dhe PDK-së: Ndani meritat
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka deklaruar se është rezultat i opozitës pse Kosova po del më pozitive në raporte ndërkombëtare për vendin.
Derisa është diskutuar për raportin “World Justice Project”, ajo ka kritikuar pozitën e tanishme, duke thënë se dikur kishte shpifur për të njollosur vendin. Për këtë ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila tha se nuk ka pasur opozitë e qeveri më të mirë se tani. Ndërsa, kryeparlamentari Glauk Konjufca i ka reaguar ministres duke u shprehur se “Albulenë, e monopolizove krejt”.
Musliu ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje që në ambasada e vizita zyrtare kanë tentuar të njollosin vendin.
Për këtë ka reaguar ministrja Albulena Haxhiu e cila tha se në opozitë e tani janë më të mirët.
“Organizatat vendore dhe ndërkombëtare nuk bëjnë raporte me t’nime Gane. Nuk i bëjnë raportet me t’nime. Bëjnë një analizë, bëjnë një vlerësim, takojnë organizatat e shoqërisë civile dhe akterët e tjerë, pastaj i bëjnë raportet. Dhe e dyta, me bindje të plot e them ky kuvend s’ka pasur asnjëherë opozitë më të fuqishme se LVV dhe asnjëherë s’ka pasur qeveri më të fortë se LVV. Faleminderit”, ka thënë Haxhiu.
Deklaratat e kryeparlamentarit Glauk Konjufca kanë nxitur të qeshura në Kuvend derisa i tha Haxhiut që të mos monopolizojë me meritat.
“Pse nuk po i ndani kapak meritat… Albulenë, e monopolizove krejt edhe në opozitë më të mirët edhe në qeveri më të mirët. Ngadalë, se mundet tani “mësysh”, nuk bën ashtu. Kështu nuk po replika nuk po replika në këtë pjesë Gane”, tha Konjufca.
Tahiri: Kosova është para bankrotimit total
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka deklaruar se Kosova është para bankrotimit total. Ai në seancë plenare ka ngritur çështjen e Ligjit të Pagave, për të cilin tha se qeveria nuk po e sjell në Kuvend edhe pas një muaji prej kur ka përfunduar diskutimi publik. Derisa ka folur për rritjen ekonomike, ai tha se qeveria po proklamon rritje më të madhe ekonomike sesa e thotë Banka Botërore.
“Kosova është para një bankrotimi total. Ne mund të merremi me Lajçakun, ne mund të merremi me dialogun, ne mund të flasim për liberalizimin e vizave, por nuk është në dorën tonë. Në dorën tonë dhe në dorën e qeverisë që ju e keni votuar është që të merren veprime konkrete që të përmirësohet jeta e qytetarëve” , ka përfunduar Tahiri.
Deputetët nga Kosova ftojnë shqiptarët e Luginës të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë
Në seancën e Kuvendit që është duke u mbajtur Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës kanë ftuar qytetarët shqiptarë në Luginën e Preshevës që të marrin pjesë masivisht në procesin e regjistrimit të popullsisë edhe në këto katër ditë sa ka mbetur afat deri më 31 tetor.
Në seancën e sotme, deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje Arbëresha Kryeziu Hyseni tha se kanë mbetur edhe katër ditë për të shfrytëzuar masivisht këtë të drejtë për të luftuar mohimin e Serbisë për ekzistencën shqiptare dhe për të dëshmuar se Lugina e Preshevës është me shumicë shqiptare dhe se janë shumë edhe më shumë se sa Serbia mendon.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se shqiptarët e Luginës duhet të kenë trajtimin e njëjtë si serbët në Kosovë. Derisa ka përmendur diskriminimet që po u bëhen shqiptarëve të tri komunave, ai ka bërë thirrje për regjistrim të tyre.
Procesi i regjistrimit të popullsisë në Luginë ka nisur më 1 tetor dhe përfundon më 31 të këtij muaji.
Deputeti ukrainas para parlamentit në Kosovë: Kosova është Evropë
Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe se do të punojë për njohjen nga Ukraina.
Kështu u shpreh ai para parlamentit të Kosovës, derisa theksoi se më 5 gusht i ka thënë parlamentit ukrainas që ta njeh pavarësinë e Kosovës si shtet të pavarur.
“Unë mendoj që kjo duhet të bëhet sa më parë, sepse ju keni luftuar për lirinë e juaj, ju jeni një shtet i pavarur. Unë do të bëjë çfarëdo që është në fuqinë time që të ju ndihmojë me këtë. Dhe dua t’ ju informoj se miqtë e Kosovës, tani i ka edhe më të shumtë miqtë. Në parlamentin ukrainas kemi organizuar një kauzë për miqtë e Kosovës dhe unë kam nderin që të jem kryetari i kësaj kauze. Dhe mund të llogaritni në ne në çdo moment. Dhe do të bëjmë çfarë do që është e mundur që t’ ju ndihmojmë që të ecim kësaj rruge së bashku me ju. Edhe si anëtar të Parlamentit të Këshillit të Evropës, si zëvendës president i Komisionit për Refugjatët dhe Migrim në Këshillin e Evropës dua t’ ju siguroj që unë aty do të bëjë çfarëdo që është e mundur që të mbështes Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës me të drejta e plota sa më parë që është e mundur. Kosova është Evropa, unë besoj në këtë”, ka thënë Goncharenko.
Deputetët e Kuvendit mbajnë një minutë heshtje për viktimat e luftës në Ukrainë
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, po merrë pjesë deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko.
Fillimisht në seancën e sotme, deputetët kanë mbajtur një minutë heshtjeje në nderim të të vrarëve në Ukrainë në invazionin e nisur nga Rusia atje tash e 9 muaj.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se kriminelët duhet të marrin dënimin e merituar, në mënyrë që të ketë një botë më të sigurt në të ardhmen.
“Kemi hyrë në muajin e nëntë prej kur Federata ruse dhe regjimi diktatorial i Vladimir Putinit e sulmoi në mënyrë të paprovokuar shtetin e Ukrainës dhe popullin liridashës ukrainas. Dhe prej atëherë e gjithë bota demokratike është tmerruar prej masakrave të bëra nga regjimi i Putinit mbi popullin e pafajshëm të Ukrainës. Masakra si ajo e Buchas dhe shumë masakra të tjera të cilat ndodhen në Ukrainë janë pa dyshim akte të gjenocidit të këtij regjimi gjakatar mbi një popull të Evropës dhe mbi një shtet sovran të Kombeve të Bashkuara”, tha Konjufca./21Media

Back to top button