Sfidues zbatimi i Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi

Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi përkundër që është mjaftë i avancuar në praktikë vështirë po gjen zbatim, dhe pengesë në këtë aspekt po shihen praktikat gjyqësore për kualifikimin e një rasti si diskriminim.
Kështu u tha në tryezën e organizuar sot nga Avokati i Popullit me temën “Sfidat e sistemit gjyqësor në zbatimin e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi”.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj u shpreh se Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi është ligj i avancuar që plotëson standardet ndërkombëtare, por sfidë mbete zbatueshmëria e tij.
Qelaj tha se ky ligj ka probleme në vetvete dhe si i tillë paraqet sfidë për Avokatin e Popullit pasi si i tillë e kufizon këtë institucion për të hetuar sektorin privat dhe i jep të drejtë vetëm për hetim kur ka bazë për diskriminim vetëm në atë publik.
Avokati i Popullit kërkoi më shumë promovim dhe mbikëqyrje të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi.
Ndërsa, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani theksoi se neni 24 i Kushtetutës përcakton barazinë para ligjit. Ajo tha se si pasojë e divergjencës në praktikë gjyqësore në Kushtetuese po shtohet numri i lëndëve të cilat kjo gjykatë i konsideruar si pretendime për diskriminim e jo diskriminim.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Alber Zogaj tha se është sfidues fakti se si duhet të kualifikohet një rast diskriminim në praktikën gjyqësore.
Ai tha se përkundër që tashmë në sistemin e KGJK është futur edhe baza ligjore e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi do të nxirren shumë pak raste, në mungesë të referencave apo ligje të tjera. Në këtë drejtim, Zogaj tha se do punojnë që të fusin edhe referenca tjera me qëllim që të njihen më shumë këto raste.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku tha se rastet që kanë elemente të diskriminimit i trajton me urgjencë dhe prioritet.
Sipas tij Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi i hartuar në vitin 2015 paraqet një kornizë ligjore të mirë e cila fuqizon mbrojtjen e individit nga çdo formë e diskriminimit.
Maloku tutje tha se prej 43 rasteve me 79 persona sa kanë qenë në procedurë si vepra penale për diskriminim, KPK ka zgjidhur 32 prej tyre me 72 persona të përfshirë.
Drejtoresha e Departamentit për Mbrojtje nga diskriminimi, Merita Syla u shpreh se numri i veprave penale për diskriminim është i ulët dhe kjo paraqet shqetësim për institucionin e Avokatit të Popullit. Ajo tha se vetëm në vitin 2021 janë parashtruar 109 ankesa, prej tyre janë hetuar 88.
 

Back to top button