Shaheed viziton Shqipërinë

Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Ahmed Shaheed në Shqipëri

Politikat dhe praktikat e Shqipërisë për të promovuar dhe mbrojtur lirinë e fesë ose besimit do të vlerësohen nga Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Ahmed Shaheed, gjatë një vizite zyrtare në Tiranë nga data 8-17 maj.

“Mezi pres ta vizitoj Shqipërinë për të mësuar për bashkëjetesën e feve dhe besimeve të ndryshme, si dhe për shembujt pozitivë të promovimit të tolerancës fetare në vend”, tha eksperti i pavarur i ngarkuar nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut për vlerësimin dhe raportimin e situatës së lirisë së fesë ose besimit në të gjitha vendet.

Mandati i Raportuesit të Posaçëm kërkon po ashtu që ai të identifikojë pengesat ekzistuese dhe të reja në gëzimin e së drejtës së lirisë së fesë ose besimit dhe të paraqesë rekomandime specifike për t’i kapërcyer ato.

“Do të jetë një mundësi e ardhur në kohë e duhur për mua për të rishikuar lirinë e fesë ose besimit në lidhje me çështjet e gjinisë, grave, fëmijëve dhe pakicave fetare apo besimit”, tha z. Shaheed, i cili viziton vendin me ftesë të qeverisë shqiptare.

Gjatë vizitës së tij, eksperti do të takohet edhe me zyrtarë të qeverisë, liderë dhe organizata fetare, OJQ, përfaqësues nga shoqëria civile dhe agjencitë e OKB-së në Tiranë, Shkodër dhe Korçë.

Konkluzionet e vizitës së tij raportuesi Shaheed do t’i ndajë në konferencën për shtyp, më 17 maj./21Media

Back to top button