Shaip Kamberi lidh koalicion paszgjedhor me PD e LPD në Bujanoc

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka njoftuar për nënshkrimin e koalicionit paszgjedhor me Partinë Demokratike e Lëvizjen e Progresit Demokratik në Bujanoc.

Kamberi ka shpërndarë disa fotografi nga procesi i nënshkrimit të koalicionit, ka shkruar se ky është një hap i rëndësishëm drejt një bashkëpunimi të forte.

“Ky është hap i rëndësishëm drejtë një bashkëpunimi të fortë dhe të përbashkët për të siguruar një qeverisje të mirë në komunën tonë. Marrëveshja jonë synon luftën kundër diskriminimit, zhvillimin shoqëror, barazinë dhe zhvillimin ekonomik, social e kulturor të komunës së Bujanocit”, ka shkruar Kamberi në “Facebook”.

Tutje, ai ka pohuar se do vazhdojnë të angazhohen që të krijojmë një mjedis të hapur dhe demokratik, duke i dhënë rëndësi zgjedhjeve të lira, të drejta dhe transparente, ku çdo ide dhe opinion ka vendin e tyre”.

“Për ne, respektimi i votuesve dhe pjesëmarrësve në zgjedhje është i pamohueshëm. Besimi në historinë tonë kombëtare, rëndësia e bashkëpunimit ndërpartiak dhe angazhimi për stabilitetin dhe zhvillimin e komunës sonë janë qëndrime që na udhëheqin në këtë rrugë drejt frontit shqiptar për Bujanocin”, ka shkruar tutje ai.
Kamberi mes tjerash është shprehur se “frontin e përbashkët për shqiptarët në komunën e Bujanocit ua kemi borxh çdo qytetari tonë”./21Media

Back to top button