SHBA: Deri në pezullimin e taksës nuk mund të kemi raporte të fuqishme siç kishim më parë

Letra e SHBA-ve për liderët

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, i ka dorëzuar udhëheqësve të shtetit presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, një letër drejtuar nga  zëvendës asistenti i Sekretarit të shtetit, Matthew Palmer, zëvendës asistentja e Sekretarit të Mbrojtjes, Laura Cooper dhe Zëvendësdrejtori për Çështje të Evropës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, John Erath. Në letër thuhet se pasi që panë se kërkesat e tyre për të pezulluar taksën, nuk u morën parasysh, kanë vendosur të ndërmarrin hapa që do të shfaqin shqetësimin e tyre, përfshirë këtu edhe partneritetin në fushën e sigurisë.  Burimet e RTV21 konfirmojnë se për këtë çështje nesër në orët e paradites do të mblidhen në një takim të përbashkët të gjithë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.

Në letrën e SHBA-ve, thuhet se, ashtu siç u ka shkruar edhe Presidenti Trump në letrën e tij në dhjetor të 2018, ky është momenti i mundësisë së Kosovës, që duke normalizuar marrëdhëniet me Serbinë të ndërmarr një hap të rëndësishëm përpara drejt integrimeve Euro-Atlantike si dhe të avancojë si një vend stabil, prosperues dhe i sigurt.

“Që atëherë ne kemi shprehur shqetësimet tona që veprime të caktuara, përfshirë këtu vendosjen e taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, do të mund të rrezikojnë këtë qëllim. Këto veprime minojnë mundësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të vazhdojnë bashkëpunimin me ju në një fushë të gjerë objektivash të përbashkëta. Pasi që pamë që kërkesat tona për të pezulluar taksën, nuk u morën parasysh, kemi vendosur të ndërmarrim hapa që do të shfaqin shqetësimin tonë, përfshirë këtu edhe partneritetin në fushën e sigurisë.”, thuhet në letër.

Në letër qartësohet se hapi i parë në këtë drejtim është anulimi i vizitës së planifikuar të Gjeneralit Orr nga Garda Kombëtare e IOW-s, në Kosovë, duke paralajmëruar edhe veprime të tjera.

“Do të shikojmë me kujdes aspektet e tjera të bashkëpunimit tonë dhe do të shqyrtojmë nëse edhe ato do të pakësohen/shkurtohen/cungohen. Kosova nuk ka mik më të mirë sesa Shtetet e Bashkuara. Ne kemi punuar për kaq shumë vite për të realizuar një të ardhme për popullin e Kosovës, në mënyrë që ai të jetojë ashtu siç ka zgjedhur, në paqe. Lufta e Kosovës për liri ka mbetur në mendjen e Amerikanëve. Mijëra diplomatë amerikane dhe ushtarë janë përfshirë personalisht në përpjekjet për të ndërtuar një të ardhme për Kosovën. Është e pabesueshme që pas gjithë çfarë kemi bërë bashkë, Kosova e vlerëson miqësinë tonë aq ulët sat ë injorojë këshillat tona”, thuhet në letër.

Në letrë thuhet se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të gatshme të ndihmojnë Kosovën për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse e normalizuese me Serbinë, e cila siç thënë ata do të përqendrohej në njohje reciproke, gjë që do të ishte e implementueshme, jetëgjatë dhe në të mirë të të dyja palëve. Sipas tyre, në njëzet vitet e fundit, ky ka qenë një qëllim i paarritshëm.

“Edhe pse ende e vështirë, është një rrugë që duhet ndërmarrë, në mënyrë që të arrijmë në sigurinë dhe prosperitetin që sjell e ardhmja. Qëllimi ynë është që të shohin Serbinë dhe gjithashtu Kosovën, të veprojnë me përgjegjësi dhe që t’i kthehen dialogut. Hapi i parë drejt këtij qëllimi do të ishte pezullimi i taksës. Derisa nuk e bëni një gjë të tillë, ne nuk mund të kemi raportet e fuqishme që kishim më parë me ju.”, përfundon letra e zëvendës asistent i Sekretarit të Shtetit zëvëndësërzemërsisht, Matthew Palmer, zëvendës asistentes së Sekretarit të Mbrojtjes, Laura Cooper dhe Zëvendësdrejtorit për Çështje të Evropës në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, John Erath./21Media

Back to top button