ShBA dhe aleatët kërkojnë të dëbojnë Rusinë nga G20

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera perëndimore po shqyrtojnë një lëvizje për të përjashtuar potencialisht Rusinë nga G20, raportoi Reuters, duke cituar burime.

Agjencia e lajmeve tha gjithashtu se Polonia të martën u kishte sugjeruar zyrtarëve amerikanë që të zëvendësonte Rusinë në grup dhe se ata morën një “përgjigje pozitive”.

G20 është një grupim i ekonomive më të mëdha në botë, i cili synon të koordinojë veprimet për çështjet që prekin ekonominë globale, duke përfshirë ndryshimet klimatike dhe zhvillimin.

Një shtytje e tillë do t’i shtonte sanksionet ekzistuese ekonomike kundër Rusisë nga Perëndimi. Por, ka të ngjarë të vihet veto edhe nga vende të tjera kyçe të G20-s, përfshirë Kinën, Indinë dhe Arabinë Saudite, sugjerojnë analistët.

Si rezultat, disa parashikojnë se aleatët perëndimorë të G7 mund të bojkotojnë takimet e G20 këtë vit – diçka për të cilën Indonezia, kryesuesja aktuale, thuhet se është paralajmëruar. Xhakarta refuzoi të komentojë mbi këtë çështje, shkruan BBC.

Kur u pyet për këtë të martën, këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan tha: “Ne besojmë se nuk mund të jetë biznes si zakonisht për Rusinë në institucionet ndërkombëtare dhe në komunitetin ndërkombëtar.”

Rusia gjithashtu ka qenë pjesë e G7 – e cila ishte zgjeruar në G8 në vitet 2000. Por, ajo ishte përjashtuar pasi kishte aneksuar Krimenë në vitin 2014./21Media

Back to top button