SHBA dhe Koreja e Jugut arrijnë marrëveshje për armët bërthamore

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë arritur një marrëveshje, që synon t’i kundërvihet kërcënimeve bërthamore të Koresë së Veriut.

Për të parën herë në dekada të tëra, Shtetet e Bashkuara do të nisin nëndetëse të armatosura bërthamore drejt Koresë së Jugut, pjesë e një marrëveshjeje të re që sinjalizon angazhimin e Washingtonit për të mbrojtur Seulin kundër kërcënimeve nukleare në rritje nga Koreja e Veriut.

Planet për të ankoruar nëndetëse me raketa balistike në Korenë e Jugut, gjë që nuk kishte ndodhur më që prej viteve 1980, kryesojnë përpjekjet amerikane për t`i bërë më të dukshme veprimet e administratës së SHBA-së kundër regjimit të Kim Jong Un-it, thanë zyrtarë në Shtetet e Bashkuara.

Washingtoni zotohet po ashtu t’i japë aleatit të vet një rol më të madh në çdo përgjigje ndaj një sulmi të mundshëm atomik. Nisur nga kjo, Koreja e Jugut ra dakord të mos krijojë një program të vetin bërthamor.

Marrëveshja është pjesë e të ashtuquajturës Deklarata e Uashingtonit. Ajo u njoftua teksa Presidenti Joe Biden mirëpriti homologun korean-jugor Yoon Suk Yeol në një vizitë shtetërore për të festuar 70-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve dypalëshe dhe për të diskutuar të ardhmen e aleancës./21Media

Back to top button