SHBA i jep Ukrainës 55 milionë dollarë për ngrohje

Samantha Power, kreu i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), ka njoftuar një investim prej 55 milionë dollarësh në infrastrukturën e ngrohjes të Ukrainës, ndërsa vendi i shkatërruar nga lufta po përgatitet për një dimër të zymtë.
“Kjo ndihmë do të mbështesë riparimet dhe mirëmbajtjen e tubave dhe pajisjeve të tjera të nevojshme për të ofruar ngrohje në shtëpi, spitale, shkolla dhe biznese në të gjithë Ukrainën”, thuhet në njoftim.
Nga ndihma e USAID-it do të përfitojë drejtpërdrejt deri në shtatë milionë ukrainas në 19 rajone.
“USAID do të sigurojë gjithashtu gjeneratorë të energjisë dhe burime alternative të karburantit për spitalet, qendrat për personat e zhvendosur brenda vendit dhe strehimoret për qytetarët e cenueshëm social, duke ndihmuar në sigurimin e ukrainasve me qasje në strehimore të ngrohta gjatë dimrit. Ndihma do të synojë pjesë të Ukrainës që janë shkatërruar nga lufta e Putinit, duke përfshirë rajonet e Chernihiv, Kharkiv, Kiev, Mykolaiv, Odesa, Zaporizhzhya dhe Zhytomyr”, thuhet tutje në deklaratë.
Administrata Biden është shfaqur si një aleat i vendosur i Kievit pasi Moska filloi sulmin e saj ushtarak ndaj Ukrainës në fillim të këtij viti.
Që nga fillimi i pushtimit rus në fund të shkurtit, SHBA-ja ka dhënë më shumë se 16 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë për Ukrainën.
Javën e kaluar Pentagoni njoftoi 1.1 miliardë dollarë ndihmë shtesë ushtarake për Ukrainën, të cilën një zyrtar i lartë i mbrojtjes e quajti një “investim shumëvjeçar” në mbrojtjen e vendit./21Media

Back to top button