SHBA i vendos sanksione të reja Rusisë

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden vendosi sanksione të reja ndaj 10 enteve detare ruse pas operacioneve ruse kundër porteve ukrainase, njoftoi të enjten Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
“Ne jemi të përkushtuar të imponojmë pasoja të rënda shtesë ndaj Presidentit Putin dhe mundësive të tij për luftën e pandërgjegjshme të Rusisë kundër Ukrainës. Në vazhdën e operacioneve detare ruse kundër porteve të Ukrainës, duke përfshirë ato që po ofrojnë ushqim dhe drithë shumë të nevojshme për botën, Shtetet e Bashkuara sot po vendosin sanksione ndaj enteve detare ruse”, tha Blinken.
Subjektet e sanksionuara përfshijnë kompani që prodhojnë aspekte të ndryshme të aftësive detare të Rusisë. Një nga kompanitë e sanksionuara është një kompani baterish, Rigel, e cila ka qenë furnizuese e marinës ruse për më shumë se 15 vjet, tha Departamenti i Shtetit i SHBA. Gjithashtu u sanksionua një institut qendror për kërkimin shkencor, Elektropribor, i cili prodhon një sistem navigimi për anijet luftarake ruse.
“Shtetet e Bashkuara mbeten të vendosura të përdorin të gjitha masat e duhura për të penguar sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës – qofshin ato sulme nga ajri, toka apo deti. Këto masa të përgjegjësisë nënvizojnë një mesazh të thjeshtë: Kremlini duhet t’i japë fund fushatës së tij brutale kundër Ukrainës”, tha Blinken./21Media

Back to top button