SHBA-ja kërkon zbatimin e marrëveshjes së Ohrit
“Nuk po shohim zbatim të madh të kësaj marrëveshjeje nga asnjëra palë”
Kjo deklaratë e këshilltarit të lartë i departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhënë mbrëmë në mbledhjen e Senatit Amerikan, ka ngjallur reagimin e partitë opozitare. Sipas tyre Qeveria me qasjen e saj ka degraduar procesin e dialogut duke bërë që edhe zyrtarët Amerikan ta bëjnë Kosovën bashkëfajtore me Serbinë për moszbatimin e marrëveshjes. Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, kritikon Qeverinë për mos koordinim me SHBA-të.
“Qasja aventureske e kryeministrit në procesin e dialogut ka barazvlerësuar
Kosovën dhe Serbinë në sytë e aleatëve ndërkombëtar…”
Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme nga LDK, Rrezarta Krasniqi, tha se Qeveria e ka kthyer dialogun në proces teknik, duke hequr dorë nga njohja reciproke.
“faktori ndërkombëtar neve na ka kthyer shpinën që nga fillimi i punës së kësaj Qeverie…kryeministri nuk ka transparencë…po shohim një dialog krejtë teknik…ky proces ka degraduar…”
Përfaqësuesit e pushtetit mohojnë akuzat e opozitës për degradim të procesit të dialogut. Deputeti i Vetëvendosjes, Agon Batusha, e quan Serbinë palë destruktive, ndërsa tha se Qeveria Kurti po i mbron interesat e Kosovës në këtë proces.
“Kosova është e gatshme ta bëjë pjesën e vet…është pala serbe destruktive…në do ta bëjmë pjesën tonë për aq sa na takon…detajet e marrëveshjes do të detajizohen në takimet e ardhshme….aty ku cenohet kushtetutshmëria ne do ta kundërshtojmë….”
Ndërkohë, i dërguari special i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për emisionin Click Plus në televizionin 21 në Maqedoni tha se edhe Kosova edhe Serbia duhet t’i kryejnë obligimet e marrëveshjes së Ohrti.
I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë Serbi Mirosllav Lajçak ka thënë se në proces të dialogut ose ka normalizim të raporteve ose konflikt. Kërkoi nga palët të bëjnë dialog në mirëbesim./21Media