SHBA-ja thotë se Kushtetuta, integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës janë të shenjta

Ambasada e Shteteve të Bashkuara Amerikës në Kosovë  është deklaruar pas vizitës së përbashkët të përfaqësuesit Special të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, Miroslav Lajçak.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Ambasada ka thënë se SHBA-ja mbështet fuqimisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Sipas tyre, dialogu është mënyra më e mirë për liderët e Kosovës për t’iu ofruar qytetarëve të saj një të ardhme evropiane.
“Status quo-ja është e paqëndrueshme. Ne inkurajojmë angazhimin konstruktiv dhe urgjent nga të gjithë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve që do të përfundonte me njohje reciproke”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë.
“Askush nuk po kërkon nga liderët e Kosovës që të komprometojnë sovranitetin e Kosovës, të heqin dorë nga integriteti i saj territorial ose të shkelin Kushtetutën e saj. Ato janë të shenjta”, thuhet tutje në njoftim.
Escobar dhe Lajçak përfunduan sot vizitën në Kosovë, dhe pasdite janë nisur për në Beograd./21Media
 

Back to top button