SHBA presin që Vuçiq dhe Kurti të jenë konstruktiv në lidhje me propozimin evropian

Shtetet e Bashkuara njoftuan se mbështesin fuqishëm propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“ Ne presim që të dy liderët t’i qasen takimit në frymën konstruktive të nevojshme për të ecur përpara në përputhje me të ”, thuhet në reagimin e Departamentit të Shtetit në prag të raundit të ri të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian , do të mbahet të hënën në Bruksel.
Kryeministri i Kosovës Albinin Kurti dhe presidenti i Serbisë , Aleksandar Vuçiq , përveç deklaratës zyrtare të pranimit, duhet të shqyrtojnë edhe detajet e zbatimit të propozimit evropian.
“Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në fund të fundit duhet të synojnë njohjen reciproke. Progresi në dialog do të hapë derën e integrimit evropian dhe është i një rëndësie thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor ”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Departamentit të Shtetit për Shërbimin serb të Zërit të Amerikës, përcjell portali rtv21.tv
I pyetur nëse mund të pritet një përparim apo edhe një pikë kthese pas raundit të ardhshëm të bisedimeve në Bruksel, Departamenti i Shtetit u përgjigj se është inkurajuese që Serbia dhe Kosova e kanë pranuar në parim propozimin e Bashkimit Evropian.
“ Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian theksuan mundësitë e propozimit të Bashkimit Evropian dhe theksuan rëndësinë e përparimit të shpejtë – për të shmangur rrezikun e përshkallëzimeve të mëtejshme”, thuhet në reagim .
Marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, gjatë gjysmës së dytë dhe në fund të vitit 2022, u karakterizuan të tensionuara për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndëshkimin e pronarëve të automjeteve të paregjistruara me targa të qyteteve të Kosovës të lëshuara në Serbi.
Me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, autoritetet e Kosovës hoqën dorë nga ai vendim – i cili, megjithatë, nuk rezultoi me kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës që u larguan duke protestuar kundër riregjistrimit të automjeteve dhe politikë ndëshkuese e planifikuar.
“Ne inkurajojmë fuqishëm serbët e Kosovës që të kthehen në institucionet e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të përmirësohet siguria dhe stabiliteti për të gjithë qytetarët. Ne inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që të sigurojë kushte për serbët e kualifikuar të Kosovës që ta bëjnë këtë pa vonesë. Marrëveshjet e Brukselit parashikonin integrimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës. Ne i mbështesim plotësisht ato marrëveshje dhe vazhdimin e zbatimit të tyre ”, është qëndrimi zyrtar i Departamentit të Shtetit lidhur me këtë çështje./21Media

Back to top button