Shefi i EULEX-it reagon për shpërthimin në Veri: Tregon nevojën urgjente për de-eskalim

(Lajm i përditësuar)
Shefi i EULEX-it, Giovanni Barbano, ka deklaruar se pajtohet plotësisht me qëndrimin e ambasadorit të SHBA-së, Jeff Hovenier, për shpërthimin në veri të vendit.
Barbano ka thënë se incidente të tilla tregojnë se sa fragjile është situata dhe rithekson nevojën urgjente për de-eskalim.
“EULEX dënon çfarëdo forme të dhunës dhe konsideron si të papranueshme”, ka shkruar Barbano.
Fully agree with @USAmbKosovo. Such incidents show how volatile is the situation and underline the urgent need to de-escalate. EULEX’s condemn any form of violence as unacceptable. https://t.co/hth8zcgVav
— Giovanni Pietro Barbano (@EulexHoM) September 22, 2023
Hovenier dënon shpërthimin në veri: Jam i tronditur thellë
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka reaguar për shpërthimin që ndodhi në veri të Kosovës të enjten pas mesnate.
Duke e dënuar këtë akt Hovenier është shprehur i tronditur me lajmin derisa ka kërkuar që të hetohen rrethanat e të dënohen kryesit e veprës
“I tronditur thellë kur lexova raportet e mjeteve shpërthyese të përdorura në shumë pjesë të Kosovës. Ne i dënojmë këto akte dhune dhe u bëjmë thirrje autoriteteve të kryejnë një hetim të plotë dhe të nxjerrin autorët para drejtësisë”, ka shkruar Hovenier në platformën X.
BE reagon për hedhjen e granatës së dorës në veri
Bashkimi Evropian ka reaguar për rastin e mbrëmshëm që ka ndodhur në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e veriut, ku në një shtëpi është hedhur granatë dore.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se BE-ja po e vëzhgon me shumë vëmendje dhe shqetësim situatën në veri të Kosovës.
“Jemi të shqetësuar për vazhdimin e situatës ku nuk ka një de-përshkallëzim të tensioneve”, ka thënë Stano./rtk
Sveçla: Urdhëri për hedhjen e granatës në veri erdhi nga Vuçiqi
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar pas shpërthimit të mbrëmshëm në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicë të Veriut.
Sveçla, e ka ndërlidhur hedhjen e granatës së dorës në veri të Mitrovicës në orët e mesnatës, me arrestimin e tre qytetarëve serbë të dyshuar për krime lufte.
“Nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës pas një angazhimi të gjatë e me dyshime të bazuara, janë arrestuar 3 qytetarë serbë për krime të kryera ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë. Të njëjtit dyshohet të kenë qenë bashkëpunëtorë në tortura, plagosje, vrasje, dëbim, dhe masakra ndaj shqiptarëve në Vushtrri, fshatrat e saj përreth dhe në Burgun e Smrekovnicës. Në shenjë revolte ndaj arrestimit të këtyre personave, si mesazh ndaj drejtësisë sonë dhe me qëllim të shkaktimit të terrorit tek qytetarët tanë, grupe kriminale mbrëmë kanë hedhur granatë dore ushtarake në Lagjen e Boshnjakëve”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.
Ai tutje ka thënë se inspirimi, mbështetja dhe urdhëri për këtë akt kriminal “ka ardhur nga ish Ministri i Propagandës në kohën e Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq”.
“Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Serbia me në krye Vuçiqin, jo vetëm që nuk e pranon këtë fakt, por glorifikon kriminelët e luftës. Dëshmia e qëndrimit të saj të pandryshuar është vetë planifikimi i aktit të hedhjes së granatës. Kosova do të jetë shtet i së drejtës, i qytetarëve të barabartë ku barazia dhe prosperiteti do të garantohen për të gjithë”, ka thënë Sveçla.
Shpërthim në Mitrovicë të Veriut
Një shpërthim ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:40 në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicë të Veriut.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Veriun e Mitrovicës, Veton Elshani, i cili tha se shpërthimi dyshohet të jetë shkaktuar nga një granatë dore.
“Pas daljes në vend të ngjarjes së ekipit të specializuar dyshohet se kemi të bëjm me shpërthim të granatës së dorës M75”, tha Elashani.
Elshani tutje u shpreh se përveç disa dëmeve, nuk ka pasur të lënduar nga ky shpërthim./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?