Shefi i EULEX-it tha se duhet kapacitete shtesë për rastet e korrupsionit e terrorizmit

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi sot priti në takim Shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, me ç’rast, ky i fundit theksoi nevojën për kapacitete shtesë në punën hetimore për rastet e korrupsionit, terrorizmit si dhe për bashkëpunimin ndër-institucional ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë për ta avancuar punën e prokurorisë.

Procesi i ndryshimeve legjislative, reformat institucionale, përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës si dhe diskutimi i çështjeve tjera me interes të përbashkët ishin në fokus të takimit ndërmjet Kryeprokurorit të Shtetit dhe Shefit të EULEX-it.

Me këtë rast, siç u bë e ditur në komunikatë, Kryeprokurori Lumezi e njoftoi Shefin e misionit të EULEX-it lidhur me qëndrimet institucionale për këto procese, adresimet që dalin nga rishikimi funksional për sundim të ligjit, sfidat institucionale si dhe angazhimin e institucionit të Prokurorit të Shtetit në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit dhe veprave tjera penale.

“Palët vlerësuan progresin e arritur në fushën e sundimit të ligjit, veçmas në shënjëstrimin e rasteve të reja, me ç’rast u theksua nevoja për një dinamizëm më të shtuar në pasqyrimin real të këtij progresi.”, u bë e ditur tutje në komunikatë./21Media

Back to top button