Shefi i OKB-së dënon “ashpër” sulmet e Rusisë ndaj porteve të Ukrainës

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dënoi “ashpër” sulmet e Rusisë kundër porteve në Odesa dhe porteve të tjera ukrainase në Detin e Zi, tha të enjten zëdhënësi i tij.

“Sulmet bien ndesh me angazhimet e Federatës Ruse sipas Memorandumit të Mirëkuptimit me Kombet e Bashkuara, i cili thotë se “Federata Ruse do të lehtësojë eksportin e papenguar të ushqimit dhe vajit të lulediellit nga portet e kontrolluara ukrainase të Detit të Zi”, tha Stephane Dujarric në një deklaratë.

Guterres kujtoi gjithashtu se shkatërrimi i infrastrukturës civile mund të përbëjë shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar.

“Këto sulme kanë gjithashtu një ndikim përtej Ukrainës. Tashmë po shohim ndikimin negativ në çmimet globale të grurit dhe misrit, i cili dëmton të gjithë, por veçanërisht njerëzit e cenueshëm në jugun global”, u bë e ditur në deklaratë.

“Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm nuk do të heqë dorë në përpjekjet e tij për të siguruar që ushqimi nga Ukraina dhe Rusia të jenë të disponueshme në tregjet ndërkombëtare si pjesë e përpjekjeve të tij të vazhdueshme për të luftuar urinë globale dhe për të siguruar çmime të qëndrueshme të ushqimit për konsumatorët kudo”, shtoi ai.

Infrastruktura kritike në rajone të ndryshme të Ukrainës u godit nga sulmet me raketa ruse më herët të mërkurën, më së shumti në rajonin e Odesës, ku 10 persona kërkuan ndihmë mjekësore për shkak të sulmeve, sipas autoriteteve lokale.

Back to top button