Shefi i OSBE e mirëpret vendimin e KQZ-së

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport ka thënë se është i vendimi i KQZ-së  për verifikimin e nënshkrimeve të dorëzuara të peticionit nga kuvendet komunale të Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut dhe caktimin e 21 prillit si datë për votimet për largimin e kryetarëve shqiptarë në këto komuna.

Tani është e rëndësishme që procesi të zhvillohet në mënyrë të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe transparente”, ka shkruar ai në platformën X.

KQZ ka njoftuar sot se në komunën e Leposaviqit peticionin për nisjen e procedurave për largimin e kryetarit të komunës e kanë nënshkruar 3.030 persona. Prej tyre, 2.905 është verifikuar se u përkasin banorëve të kësaj komune me të drejtë. Me këtë shifër është plotësuar kërkesa prej 20 për qind, pasi kërkohej që të mblidheshin nënshkrimet e së paku 2.689 personave.

Derisa, në Zubin Potok, nga 1.576 nënshkrime, 1.380 janë vërtetuar se u përkasin qytetarëve me të drejtë vote. Nga numri i përgjithshëm i votuesve, që peticioni të konsiderohej i vlefshëm në këtë komunë kërkoheshin që të mblidheshin së paku 1.347 nënshkrime.

Sa i përket peticionit në Zveçan, ai, sipas KQZ-së, u nënshkrua nga 1.834 persona dhe nga ky numër 1.380 u vërtetuan se u përkisnin qytetarëve që kanë të drejtë vote në Zveçan. Që peticioni të kalonte, në këtë komunë kërkohej të mblidheshin së paku 1.347.

Ndërkaq, në Mitrovicë të Veriut u mblodhën 4.148 nënshkrime prej të cilave 3.653 u përkisnin banorëve me të drejtë vote. Në këtë komunë kërkoheshin së paku 3.640 nënshkrime në mënyrë që peticioni të konsiderohej i vlefshëm./21Media

Back to top button