Shenjat që paralajmërojnë probleme të mushkërive
Mushkëritë luajnë një rol kyç në rregullimin e funksioneve të organeve të tjera në trupin e njeriut.
Ato janë në punë çdo sekondë të ditës që njeriu merr frymë, ndaj rëndësia e shëndetit të tyre nuk mund të nënvizohet mjaftueshëm. Kur merrni frymë, mushkëritë marrin oksigjenin dhe e transferojnë atë në rrjedhën e gjakut, nga ku mundësohet furnizimi i të gjitha organeve dhe qelizave.
Kur nxirrni frymën, mushkëritë nxjerrin dioksidin e karbonit. Mushkëritë e njeriut janë gjithë kohës të shënjestruara nga pluhurat, ndotja, duhani e një sërë substancash që tashmë janë bërë pjesë e jetës. Sëmundjet kronike të rrugëve të frymëmarrjes dhe të mushkërive janë në rritje. Disa prej tyre janë azma, bronhiti, tuberkulozi, tumori e të tjerë. Duhanpirësit janë më shumë të rrezikuar nga sëmundjet e mushkërisë. Ruajtja e shëndetit të mushkërive është thelbësore dhe është një proces që nis duke qenë të mirëinformuar për simptomat e problemeve me mushkëritë.
Simptomat e Problemeve Me Mushkëritë
Kollë e Vazhdueshme
Kolla ndihmon në pastrimin e rrugëve të frymëmrrjes, por kur ajo bëhet kronike, tregon që mushkëritë kanë nevojë për ndihmë. Kur mushkëritë janë në vështirësi, kolla shoqërohet me dhimbje kraharori që shtrihet në pjesën e shpatullës.
Vështirësi Në Frymëmarrje
Nëse hasni vështirësi të merrni frymë atëherë kjo do të thotë që mushkëritë nuk kanë fuqi të bëjnë punën e tyre. Kjo gjithashtu tregon se rrugët e frymëmarrjes janë të bllokuara.
Sekrecionet
Në shumicën e rasteve, kolla shoqërohet me sekrecione. Këto të fundit mbajnë bakteret, pluhurin dhe polenin të bllokuara dhe pengojnë rrugëtimin e tyre drejt mushkërive. Por nëse keni shumë sekrecione që nuk vijnë si pasojë e të ftohurës apo gripit, atëherë kjo nuk është një shenjë e mirë. Për më tepër, ju mund të vini re ndryshime në ngjyrën, aromën, sasinë dhe trashësinë e sekrecioneve. Nëse ato kanë ngjyrë të verdhë, jeshile ose kanë njolla gjaku, atëherë ka diçka që nuk shkon me mushkëritë.