“Familjet e dëshmorëve duhet të jenë krenare për sakrificën e bijve të tyre për të mirën e përgjithshme’’

“Familjet e dëshmorëve duhet të jenë krenare për sakrificën e bijve të tyre për të mirën e përgjithshme’’

Është shënuar 18-vjetori i Betejës së Zhegocit, i organizuar nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve, veteranë të luftës së UÇK-së, veprimtarë dhe shumë qytetarë.

Manifestimi ka filluar me homazhe te varrezat e dëshmorëve në Gjilan. Në emër të Komunës së Gjilanit para të pranishmëve ka folur nënkryetari, Rexhep Kadriu, i cili Betejën e Zhegocit e ka vlerësuar si Betejë të Lavdisë dhe njëkohësisht reflektim për angazhim edhe më të madh në zhvillim të vendit dhe ardhmërisë.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalën e tij ka thënë se gjithçka që sot kemi dhe zhvillojmë është meritë e gjakut të dëshmorëve, dhe të rënëve për liri. Ai po ashtu ka thënë se institucionet e vendit, janë gjithnjë në shërbim të vlerave të larta të luftës, të sakrificës dhe veprës më sublime e një vendi, i cili lufton për lirinë e vet dhe këtë e arrin edhe me mbështetjen e botës perëndimore.

Në këtë tubim fjalë rasti mbajti edhe kryetari i Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Gjilan, Jeton Sherifi dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, të cilët vlerësuan se familjet e dëshmorëve duhet të jenë krenare për sakrificën e bijve të tyre për të mirën e përgjithshme.

Në betejën e Zhegocit u vranë tetë ushtarë të UÇK-së: Pajazit Ahmeti, Alban Ajeti, Hanumshahe Abdullahu, Tefik Zymberi, Sahit Baftiu, Shahin Baftiu, Kastriot Baftiu, Njazi Osmani, si dhe 18 civilë. Ndërsa, në fshatin Sllovi u vranë 49 civilë.