Shënohet 35 vjetori i grevës së miniatorëve të Trepçës, Kurti: Kjo ditë shënon historinë e Kosovës

Është shënuar 35 vjetori i grevës së mdhe të miniatorëve të Trepçës, ku pjesmarrës ka qenë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti ka thënë se kjo ditë shënon historinë e Kosovës dhe duke kujtuar grevën e madhe të minatorëve, nderohen rrënjët e saj.

“Dikur minatorët kanë hedhur themelet e Republikës, tani Republika dhe minatorët bashkë po e ribëjnë “Trepçën”, ka thënë Kurti, shkruan rtv21.tv.

Tutje Kurti është shprehur se në kohën kur Serbia ka nisut të trazonte një copë të Evropës, ishin minatorët ata që të parët e kundërvunë.

“Ata porositën qartë e fuqishëm: se populli ynë nuk do të thyhej, nuk do të epej e nuk do të hiqte dorë nga e drejta për të vendosur fatin e vet. Më 17 nëntor 1988, minatorët e Trepçës u nisën në marshin e tyre nga minierat për në Prishtinë, për të kundërshtuar funksionarët që po i dorëzoheshin Serbisë”, shtoi Kurti.

Ndërsa, shtoi se minatorët tanë nuk u përçanë e as nuk u dorëzuan para së keqes, dhe me vendosmërinë e tyre i morën vëmendjen botës së qytetëruar e demokratike.

“Më 20 shkurt 1989, ata u ngujuan në horizontet e minierës për të kundërshtuar heqjen e autonomisë. Nga mesdita, kur fillimisht minatorët e ndërrimit të katërt nuk dolën fare jashtë, duke hyrë në grevë urie, fjala “Trepçë” mori një kuptim të fuqishëm edhe politik, përmes së cilës denoncoheshin politikat diskriminuese dhe shtypëse të Millosheviqit. Dhe kjo vazhdoi deri në ditën e fundit të grevës më 28 shkurt, kohë kjo gjatë të cilës 1300 minatorë të “Trepçës” të ngujuar në grevë urie nga zgafellat e horizontit të tetë dhe të nëntë të minierës, i parashtruan 10 kërkesa, ndër të cilat, “që fati i shqiptarëve në Kosovë e Jugosllavi të shqyrtohet në Kombet e Bashkuara”, tha Kryeministri.

Kurti ka kujtuar edhe 130 miniatorët të cilët kanë rënë dëshmorë në ballë të luftës çlirimtare dhe martirë të panënshtruar ndaj gjenocidit të Serbisë mbi popullin tonë.

“U përkulemi në nderim, për jetë e mot! 35 vjet pas grevës, vendi ynë i lirë tash punon me zell për të ruajtur pronën e popullit dhe për të nxitur zhvillimin e mirëqenien”, u shpreh ai.

Kurti ka bërë të ditur se “Trepça” është mbështetur me mjete për investime kapitale dhe me kapital pune, duke dhënë rreth 25 milionë euro subvencione vetëm gjatë tri viteve të fundit, duke shtuar se po përkrahim sërish “Trepçën” me kredinë 20 milionëshe për të investuar në teknologji të re, që rrit efiçiencën e prodhimit, ngrit performancën operative e financiare, përmirëson kushtet e punës dhe hap vende të reja pune.

Pas ceremonisë së organizuar në shënimin e përvjetorit të sivjetmë të grevës së madhe të minatorëve, kryeministri Kurti vizitoi ekspozitën personale të Mentor Berishës, me titull “Solidariteti si Rezistencë”, të kuruar nga Alban Beqiraj, që u mbajt në hyrje të minierës, dhe gjithashtu Muzeun e Kristaleve të Kosovës “Trepça”./21Media

Back to top button