Shërbimi Korrektues me qendër gjysmë të hapur edhe në Lipjan

Çdo i dënuar, që është duke e vuajtur dënimin në Institucionet Korrektuese mund të transferohet në Lipjan

Shërbimin Korrektues i Kosovës me qëllim të zbatimit të programeve për risocializimin e të dënuarve dhe përgatitjen e tyre  të paralirimit, sot njoftoi se ka filluar zbatimin e Rregullores së Brendshme për Transferimin e të dënuarve në pavijonin gjysmë të hapur në Qendrën Korrektuese në Lipjan.

Siç njoftoi Shërbimi Korrektues, me këtë rregullore, çdo person i dënuar, i cili është duke e vuajtur dënimin në Institucionet Korrektuese dhe është i vendosur në tretmanin e avancuar, mund të transferohet në pavijonin Gjysmë të Hapur, i cili është si njësi e veçantë në Qendrën Korrektuese në Lipjan.

Vendimin për transferimin e personit të dënuar, sipas komunikatës së SHK-së e merr Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues me propozim të Drejtorit të Institucionit Korrektues ose në bazë të kërkesës së personit të dënuar apo të ndonjë anëtari të ngushtë të familjes.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës në bashkëpunim me të gjithë partnerët e Drejtësisë Penale dhe në përshtatshmëri të vazhdueshme me ligjet e aplikueshme në Kosovë, synon të korrektojë dhe ri socializoj të dënuarit, duke respektuar të drejtat e tyre fondamentale pa marrë parasysh racën, gjuhën, religjionin si dhe të sigurojë ambient të sigurt për stafin, të dënuarit dhe shoqërinë.”, bëri të ditur Shërbimi Korrektues përmes komunikatës./21Media

Back to top button