Shkarkohet Driton Gashi

 

 

Pas skandalit me hapjen e kasafortës së Presidencës është liruar nga detyra sekretari i presidencës, Driton Gashi.

Lajmi për kallxo.com e ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar për media në zyrën e ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani.

“Komisioni i themeluar me vendim ad hoc për nivelin e lartë drejtues, me vendim të u.d. Presidentes Osmani, më 20 janar 2021, në rastin disiplinor ndaj z.Driton Gashi, sekretar në zyrën e Presidencës, ka përmbyllur shqyrtimin e këtij rasti dhe ka vendosur unanimisht shqiptimin e masës disiplinore: largim nga shërbimi civil dhe e ka obliguar zyrën e Presidentes për zbatimin e këtij vendimi”, ka thënë Kupina.

Në nëntor të vitit të kaluar ishte raportuar se një person i paraqitur si inspektor i AKI-së ka tentuar të marrë disa dosje nga kasaforta e Presidencës.

Sekretari i Presidencës, Driton Gashi, në një deklarim të tij publik kishte thënë që kasaforta nuk ishte hapur fare.

“Unë kam qenë dëshmitar në këtë ngjarje bashkë me u.d. e presidentes dhe zyrtarin e AKI-së. Unë jam dëshmitar i ngjarjes krahasuar me të tjerët që po deklarohen në studio se është hapur sefi. Nuk është hapur sefi”, ka thënë Gashi.

Mirëpo këto deklarime të Gashit i kishte përgënjeshtruar këshilltari i Vjosa Osmanit, Faton Peci.

Driton Gashi para se të bëhet sekretar në Presidencë, në kohën kur ky institucion udhëhiqej nga Hashim Thaçi, ka qenë shef i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Muajin e kaluar, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave në lidhje me rastin e deportimit të  gjashtë “gylenistëve” më 29 mars 2018.

Aktakuza është ngritur ndaj ish-drejtorit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Driton Gashi, Valon Krasniqit, drejtorit në Departamentin e Shtetësisë, Azilit dhe Migracionit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Rrahman Sylejmanit, drejtor në Drejtorinë e Migracionit dhe të Huajve të Policisë Kufitare.

Back to top button