Shkarkohet konsulli i Kosovës në New York, “Gërvalla më kërkoi largimin e flamurit të UÇK-së nga zyra”

Minsitrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka shkarkuar nga detyra, Lulzim Krasniqin, konsull i Kosovës në New York.
Krasniqi ka thënë se njoftimin e ka marrë përmes emailit nga zëvendëssekretari i përgjithshëm i MPJD-së, Behar Isma, përmes së cilit i është bërë e ditur se marrëdhënia e punës me Ministrinë ka mbaruar më 30 qershor 2022.
“Faleminderit për sqarimin, edhe pse do të ishte mirë sikur këtë të ma kishit bërë të ditur ditën kur e pranova vendimin (më 30 qershor), meqë obligimet e shumta që kam këtu, nuk përmbyllen kaq thjesht, siç mendoni ju. Vendimi juaj është i paprecedent përgjatë funksionimit të deritashëm të Shërbimit të Jashtëm të Kosovës. Mbi të gjitha është kundërligjor”, ka thënë ai.
Krasniqi ka theksuar se me këtë vendim, Gërvalla ka mbyllur të gjitha shërbimet konsullore në Konsullatën e Përgjithshme të  Kosovës në New York, kur këto ditë, sipas tij, kërkesat e shqiptarëve për shërbime arrijnë kulmin.
Vendimi i Gërvallës për shkarkim nga Shërbimi i Jashtëm, Krasniqi ka thënë se bazohet në urrejtje dhe në paranoja. Sipas tij, Gërvalla kishte urdhëruar largimin flamurit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Konsullata.
“Me të njëjtën urrejtje, gjatë vizitës suaj në Nju-Jork, në prill të këtij viti, ju keni urdhëruar largimin e flamurit të UÇK-së nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju-Jork. Pavarësisht kësaj, atë flamur të shenjtë e kam vendosur në zyrën time gjatë gjithë kohës”, ka thënë Krasniqi.
“Me largimin tim, ju mund ta largoni atë edhe nga zyra ime, por krenarinë dhe luftën e UÇK-së nuk do të mund ta largoni asnjëherë nga institucionet e Kosovës, meqë UÇK-ja është vetë themeli i këtyre institucioneve. E, largimi i flamurit të UÇK-së, të cilin, ti, zonja Gërvalla, atë ditë prilli nuk ta zinte goja ta quaje flamur i UÇK-së, por e quaje “flamur me simbole”, është një turp i madh dhe ka për qëllim rrënimin e institucioneve, të cilën gjë me sukses ke arritur ta bësh në MPJD”, ka shtuar ai.
Tutje, Krasniqi ka thënë se me këtë vendim arbitrar dhe pa paralajmërim, Kosova do të ketë edhe implikime financiare.
Ai ka paralajmëruar ankim në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës./21Media

Back to top button