Shkarkohet kreu i Konsullatës së Kosovës në New York

Kreu i Konsullatës së Kosovës në New York, Frymëzim Isufaj, është shkarkuar nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Lajmi është bërë i ditur nga vet Isufaj, i cili ka thënë se shkarkimi i tij është arbitrar dhe tërësisht politik.
Isufaj gjithashtu ka deklaruar se pas 15 vitesh punë, atij i është kërkuar brenda 10 ditëve të largohet nga misioni i tij në Konsullatë.
Deklarata e plotë e tij:
Të dashur miq,
Dëshiroj t’ju njoftoj se rrugëtimi im në krye të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës ne Nju Jork u ndërpre javën e kaluar nga një vendim arbitrar, jo ligjor dhe tërësisht politik, ku në kundërshtim me çdo praktikë të deritashme më është kërkuar që brenda 10 ditësh të largohem nga misioni.
Përveç ndërprerjes së parakohshme dhe të pa arsyetuar të mandatit tim të rregullt, përmes vendimeve të paligjshme, dëshirojnë që të pamundësojnë edhe vazhdimin e marrëdhënies së punës si diplomat karriere në institucionin në të cilin kam shërbyer afërsisht në 10 vitet e fundit.
Për hir të mbrojtjes së kredibilitit të institucionit, si diplomat karriere i cili i ka shërbyer një kohë të gjatë për institucionet e shtetit tonë, e të cilat janë ngritur me shumë mund e sakrificë, unë do ta respektoj këtë vendim pa komentuar motivin e nxjerrjes së tij. Megjithatë, betejën ligjore për të dëshmuar paligjshmërinë e këtij vendimi, do ta vazhdoj tek institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës, të cilat besoj se do të jenë të pavarura në trajtimin e lëndës duke vendosur drejtësi në këtë çështje.
Ti shërbej vendit tim gjatë kësaj periudhe pothuajse 15 vjeçare në institucione të ndryshme, e sidomos si diplomat në një vend të rëndësishëm si SHBA (vendit ndaj të cilit duhet të jemi përherë mirënjohës), fillimisht në Uashington e pastaj në New York, ka qenë nderi im më i madh jetësor.
Gjatë kësaj kohe, pavarësisht vështirësive të natyrave të ndryshme me të cilat jemi përballë si diplomat, jam përpjekur që punën time ta bëj me përgjegjësi të lartë, profesionalizëm dhe nderë, gjë për të cilën jam shumë krenar.
Me këtë rast, falënderoj miqtë dhe kolegët nga Departamenti i Shtetit, Senati dhe Kongresi, si dhe agjenci të tjera amerikane me të cilat kisha nderin të bashkëpunoj gjatë këtyre viteve.
Po ashtu, ka qenë nder dhe privilegj i veçantë që gjatë kësaj periudhe të shërbimit në NY të njihem dhe punoj ngushtë me komunitetin e jashtëzakonshëm shqiptaro-amerikan, e të cilët me kanë mirëprit dhe mbështetë gjatë gjithë kësaj periudhe. Njerëz patriot, profesionist të fushave të ndryshme, atdhetar, humanist, ushtarë të lirisë, të cilët kanë sakrifikuar çdo gjë për atdhe, e të cilët me arritjet e tyre na bëjnë krenar çdo ditë.
Një falënderim i veçantë po ashtu për stafin tim në Konsullatën e Përgjithshme në NY, ku përkundër numrit të vogël dhe resurseve të limituara, kemi arritur t’ja dalim mbanë suksesshëm në shtyrjen përpara të interesit të vendit, si dhe të përmirësojmë kualitetin e shërbimeve për qytetarët tanë. Gjatë kësaj kohe, shpesh herë ju kemi gëzuar sukseseve dhe arritjeve të përbashkëta si shtet, por edhe jemi përballë me zhgënjimin kur nuk kemi arritur atë çfarë kemi synuar.
Për fund, një falënderim të thellë dhe po ashtu kërkim falje për familjen time, të cilët pavarësisht se shpeshherë nuk kam qenë pranë tyre atëherë kur kanë pas nevojë për mua, gjithmonë më kanë ofruar përkrahjen e tyre të pa rezervë gjatë gjithë kësaj kohe.
Pavarësisht të gjithave padrejtësive, aktiviteti im në shërbim të interesit shtetëror dhe kombëtar nuk do të ndalet asnjëherë. Gjithmonë mirënjohës për përkrahjen tuaj dhe jam i bindur që bashkëpunimi më të gjithë ju do të vazhdojë edhe më tutje në përballje me sfidat e reja që na presin përpara.
Përjetësisht mirënjohës,
Ambasador Frymëzim Isufaj/21Media

Back to top button