Shkarkohet kryeshefi ekzekutiv i kompanisë “Pastrimi”

Është shkarkuar nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të Kompanisë “Pastrimi”, Burim Kelmendi.
I pari i Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se Kelmendi është shkarkuar pasi nuk ka realizuar objektivat për rritjen e kapitalit të kompanisë.
“Në mbledhjen e jashtëzakonshme, Bordi i Drejtorëve të KRM “PASTRIMI”, ka konstatuar se Kryeshefi Ekzekutiv nuk ka realizuar objektivat për rritjen e kapitalit të kompanisë, si objektiv bazë i përcaktuar me Plan Biznesin e aprovuar, dhe krejt kjo për shkak të keqmenaxhimit”, ka thënë Rama.
Rama më tej theksoi se ka pasur mbipunësim të paarsyeshëm e devijime nga parashikimet e Planit të Biznesit.
“Është vërtetuar se ka pasur devijime ekstreme nga parashikimet e Planit të Biznesit, ka pasur mbipunësim të paarsyeshëm dhe në kundërshtim me fuqinë ekonomike të kompanisë, si dhe është praktikuar edhe nepotizëm.  Kjo është konstatuar edhe në gjetjet e Zyres së Auditorit të jashtëm, e cila ka gjetur shumë shkelje të rënda për kompaninë, si pasojë e marrjes së vendimeve përtej kompetencave të Kryeshefit Ekzekutiv, pa aprovim nga Bordi i Drejtorëve. Vendimi për shkarkimin nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv, z. Burim Kelmendit, hyn në fuqi sot, me datë 08.07.2022”, shkroi Rama./21Media

Back to top button