Shkelja e masave antiCOVID, mbyllen 75 lokale të gastronomisë

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) e asistuar nga Policia e Kosovës (PK), ka njoftuar se gjatë  festave të fund vitit dhe dy javëve të para të janarit ka rritur numrin e kontrolleve zyrtare, duke realizuar rreth 2000 inspektime në nivel vendi,  gjatë të cilave janë shqiptuar 300 gjoba ndaj operatorëve ekonomik, e po ashtu janë mbyllur 75 lokale të gastronomisë.
Vetëm mbrëmë sipas AUV, në rajonin e Prishtinës janë shqiptuar 172 gjoba për mos respektim të masave Anti-Covid.
“Po vazhdojnë punën në mbikëqyrje të zbatimit të masave COVID sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për parandalimin dhe luftimin e përhapjes së sëmundjes. Bazuar në situatën epidemiologjike, rritjen e numrit të të infektuarve, ne si dy autoritete ligj zbatuese kemi shtuar kontrollet me qëllim të parandalimit të rritjes së infektimeve, aktivitete të cilat po shtrihen në nivel vendi si dhe ruajtjes se jetës dhe shëndetit publik”, thuhet në kominikatën e AUV-it.
Ministria e Shëndetësisë nuk do të marrë vendim për ashpërsimin e masave anti-COVID, ani pse në Kosovë që nga fillimi i vitit 2022 ka rritje të dukshme të rasteve me Covid-19.
Për portalin rtv21.tv Ministria e Shëndetësisë  dje  tha se aktualisht po zbatohen masat, të cilat janë në fuqi dhe se ende nuk kanë marrë ndonjë rekomandim për ashpërsimin e tyre./21Media
 

Back to top button