Shkollat e Ferizajt me mungesë të kabineteve dhe pajisjeve teknologjike

Mësimi i teknologjisë në shkollat e ciklit të ultë ku nxënësit mund të marrin informacione mbi teknologjinë, është faktor kyç në zhvillimin e mëtejshëm thuajse në secilin profesion që ata zgjedhin. Por, në vendi tonë pajisja e shkollave me pajisje teknologjike dhe krijimi i hapësirave adekuate për mësimin e teknologjisë po del të jetë ende me mangësi.
Komuna e Ferizajt ka 39 shkolla, 18 prej tyre nuk janë të kompletuara me kompjuterë e po iu mungojnë kabinetet. Ani pse Agim Aliu gjatë fushatës zgjedhore për kryetar komune, kishte premtuar se “do t’i shndërronte shkollat teknike në shkolla të Teknologjisë Informative”, por edhe pas 6 muajsh pune, nxënësit vazhdojnë mësimin në “shkollat teknike”.
Nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Ferizajt për portalin rtv21.tv kanë thënë se 21 shkolla janë të kompletuara, ndërsa shkollat tjera kanë mungesë të pajisjeve teknologjike.
“Në komunën e Ferizajt janë 39 shkolla. Nuk ka asnjë shkollë e cila nuk ka të paktën një projektor dhe printer. Megjithatë, jo të gjitha shkollat janë të kompletuara me kompjuter. 21 shkolla kanë kabinetin e informatikës të kompletuar, ndërsa shkollat tjera kanë më pak kompjuter dhe deri diku iu mungon hapësira shkollore për klasë të kabinetit të informatikës”, kanë bërë të ditur për rtv21.tv nga DKA-ja në Ferizaj.
Por si po mësohet teknologjia në shkollat pa pajisje, cilat janë rrugët alternative që i shfrytëzojnë mësimdhënësit dhe nxënësit?
Zyrtarë nga komuna për portalin rtv21.tv kanë thënë se “kryesisht përmes librit dhe burimeve tjera alternative për mungesë të kabinetit”, duke shtuar se “shumica e orëve zhvillohen duke përdorur projektor dhe pajisje tjera të teknologjisë”.
Sipas DKA-së në Ferizaj kërkesat më të shpeshta të mësimdhënësve dhe nxënësve në Ferizaj janë: Trajnime shtesë për zhvillimin profesional të mësimdhënësve në fushën e teknologjisë informative; Krijimi i hapësirave të nevojshme; Zgjerimi i kapaciteteve të TIK në shkolla; Rritja e fondit të orëve në TIK./21Media

Back to top button