Shoqata për Krimet e Luftës ‘Gjakova 98-99’, e konsideron të padrejtë dënimin për Mustafën

Shoqata për Krimet e Luftës, “Gjakova 98-99”, e ka konsideruar si të padrejtë vendimin e Gjykatës Speciale për ta dënuar me 26 vite burg, Salih Mustafën i njohur me nofkën e luftës komandant “Cali”.
Në reagimin dërguar mediave, nga kjo shoqatë kanë kërkuar që Gjykata Speciale të tërhiqet dhe të burgosurit të lirohen.
“Ju të nderuar prokurorë dhe gjykatës të gjykatës speciale me seli në Hagë, në qoftë se do të dëshironi të bëni një veprim fisnik, atëherë e njoftoni Parlamentin e Kosovës, Bashkimin Evropian, se nuk jeni të gatshëm të vazhdoni një proces gjyqësor të porositur nga nëntoka serbo-ruse, dhe kështu të dëshmoni botërisht se jeni të gatshëm të mbyllni një proces të tillë”, thuhet në reagim.
“Sepse do të ishte jo dinjitoze që në emër të ndjekjes së krimit, të krijohet një krim edhe më i madh, dhe një krim i dyfishtë të thirreni në emrin e popullit. Lironi ata luftëtarë të lirisë le të kthehen në atdheun e tyre për të cilin aq shumë sakrifikuan”, theksohet në reagim.
Salih Mustafa është shpallur fajtor për ndalim arbitrar, torturë, dhe vrasje e paligjshme, duke u dënuar me 26 vite burgim. Këto krime dyshohet se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash, në prill të vitit 1999./21Media