Specialja e shpall fajtor Salih Mustafën dhe e dënon me 26 vjet burg

(Lajm i përditësuar)
Gjykata Speciale e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 26 vjet burg ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafën.
Ai është shpallur fajtor për veprat: vrasje e paligjshme, torturë dhe ndalim arbitrar.
“Dënim me 10 vjet burgim për krimi ne luftës së ndalimit arbitrar pika 1, dënim me 22 vjet burgim për krimin e luftës së torturës pika 3, dhe dënim me 25 vjet burgim për krimin e luftës së vrasjes së paligjshme pika 4. Trupi gjykues ju dënon me vendi të njësuar më 26 vjet burgim në të cilën llogaritet koha e kaluar në paraburgim”, ka thënë kryetarja e turpit gjykues.

Ai është shpallur i pafajshëm për trajtim mizor.
Së fundi, Trupi Gjykues njoftoi se më pas do të lëshojë një urdhër për zhdëmtim dhe se ruan juridiksionin e
nevojshëm në lidhje me këtë.
Ky njëherësh është aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.
Deri më tani, Gjykata Speciale ka shpallur dy aktvendime.
Në to janë shpallur fajtorë Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj për pengim të administrimit të drejtësisë, dhe janë dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh.
Ish-drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Gucati dhe Haradinaj janë arrestuar në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Gjykatës Speciale.
Si Gucati, ashtu edhe Haradinaj kanë apeluar vendimet e gjykatës.
09:45 – “Përgjegjësia është individuale, të gabuara pohimet se akuzat janë kundër UÇK-së”
Tashmë ka filluar seanca në Gjykatën Speciale, ku do të shpallet vendimi për ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafën.
Në fillim të seancës, Kryegjykatësja Mappie Veldt-Foglia, tha se “ky aktgjykim shqiptohet publikisht në emër të popullit të Kosovës dhe në praninë e z.Mustafa”.
Më tej tha se ka konceptime të gabuara se “se këto akuza u ngritën kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo të gjithë popullit të Kosovës”, duke shtuar se përgjegjësia penale para Dhomave të Specializuara është vetëm individuale.
“Në asnjë moment nuk është gjykuar UÇK-ja”, ka thënë ajo.
08:21 – Sot shpallet aktgjykimi ndaj Salih Mustafës
Gjykata Speciale sot do të shpallë aktgjykimin lidhur me rastin e Salih Mustafës, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë.
Trupi gjykues i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia, tashmë ka caktuar datën 16 dhjetor 2022 për shpalljen e aktgjykimit ndaj Salih Mustafës. Kështu është bërë e ditur në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës, ku thuhet se shpallja e aktgjykimit do të bëhet në orën 9:00.
“Trupi Gjykues I i Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka caktuar shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës, më 16 dhjetor 2022 në orën 9:00”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale.
Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt./21Media

Back to top button