Shoqëria civile e shqetësuar që Qeveria s’po zbaton vendimet e gjykatave për kryeinspektorin e Punës

Konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile, i përbërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), kanë shprehur shqetësimin e thellë për moszbatimin e vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK), aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, aktvendimit të Gjykatës së Apelit për “emërimin e jashtëligjshëm” të kryeinspektorit të Punës, Hekuran Nikçi.

“Ka kaluar me shumë se një vit kur Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, pas monitorimit të jashtëzakonshëm, kishte marr vendim që të anulohet vendimi për emërimin e kryeinspektorit. Këshilli kishte konstatuar se pozita e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës hyn në kategorinë e pozitave të nivelit të lartë drejtues në kuadër të shërbimit civil, dhe si e tillë i nënshtrohet regjimit juridik të Ligjit për Zyrtarët Publik. Gjithashtu, Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Gjykata e Apelit kanë refuzuar si të pabazuar kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të KPMShcK-së, e cila ishte parashtruar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Po ashtu Gjykata Themelore në Prishtinë me Aktgjykim ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e Ministrisë së Financave, të cilët kishin kërkuar anulimin e vendimit MJ.nr.50/2022 të KPMShCK-së”, thuhet në reagimin e shoqërisë civile.

Përveç se nuk është anuluar vendimi, Qeveria së fundmi e ka emëruar Nikçin si anëtar të Bordit të fondit të sigurimeve shëndetësore.

Back to top button