Osmani:”Kujdesi ndaj parasë publike dhe transparenca – rrugë e vetme për ecje përpara”

Presidentja Vjosa Osmani, sonte ka reaguar pas polemikave të djeshme, se shpenzimet e kabinetit të Presidentes janë ulur për shkak të “izolimit ndërkombëtar”.
Osmani ka theksuar se “e vetmja gjë që ka izoluar është dëmi i madh ndaj vendit për të cilin duhet t’u “falënderohemi” pushteteve paraprake”.
“Keqpërdoruesit recidivistë të pushtetit, paskan tentuar dje të ndërtojnë narrativën se shpenzimet shumëfish më të vogla të kabinetit tim qenkan për shkak të “izolimit ndërkombëtar”. Përderisa për këdo që pa paragjykime ka përcjellur aktivitetin tim për promovimin ndërkombëtar të shtetit tonë nuk kam nevojë ta jap këtë spjegim, dua t’i them keqpërdoruesve recidivistë që e vetmja gjë që kam izoluar është dëmi i madh ndaj vendit për të cilin duhet t’u “falënderohemi” pushteteve paraprake. Idetë për ndarje e defunksionalizim të Kosovës promovoheshin me para të taksapaguesve, ndërkaq sot në vend se të skuqen për gjithë dëmin e shkaktuar, dalin e ankohen pse Presidentja e sotme nuk po vepron sikur pushtetarët paraprak.”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ajo ka deklaruar se kujdesi ndaj parasë publike dhe transparenca e plotë janë rruga e vetme përpara
“Ta keni të qartë, ju nuk jeni standardi me të cilin ne e masim veten. Jeni shembull i modelit që nuk duhet ndjekur.
Kujdesi ndaj parasë publike dhe transparenca e plotë janë rruga e vetme përpara. E vërteta është se në vitin 2021, ne kemi realizuar më shumë aktivitete ndërkombëtare se sa në periudhat paraprake (pa pandemi), ndërkaq kemi shpenzuar shumëfish më pak.”, ka shkruar Osmani.
Ndryshe, dje këshilltari për medie i presidentes, Bekim Kupina i ka publikuar shpenzimet e presidentes, Vjosa Osmanit dhe të kabinetit të saj./21Media

Back to top button