Gjilani falënderues ndaj organizatës “Islamic Relief"

Gjilani falënderues ndaj organizatës “Islamic Relief”

Në shenjë solidariteti me familjet me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale, organizata “Islamic Relief”, tashmë e njohur me aktivitetet e saj humanitare, në bashkëpunim dhe koordinim me Drejtorinë e Shëndetësisë, konkretisht me Qendrën për Punë Sociale, kanë shpërndarë 200 pako ushqimore.

Me këtë rast në fjalën e tij drejtori i Shëndetësisë në Gjilan, Nexhat Hajrullahu, ka falënderuar organizatën e cila ka siguruar pakot ushqimore për këto familje, duke potencuar se janë përzgjedhur familjet me gjendjen më të rëndë ekonomike dhe sociale nga lista e gjatë e familjeve në nevojë.

“Falënderojmë organizatën e cila ka sjellë këto pako ushqimore për familjet në nevojë. Solidariteti ka qenë gjithnjë fuqi e kulturës ndër shqiptarë. Në Gjilan kemi një numër mjaftë të madh të familjeve me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale. Jemi duke punuar në forma të ndryshme që gjendja të ndryshoj dhe rastet të cilat kanë mungesën e ushqimit në sofër të jenë përditë e më pak. Këto pako ushqimore janë një mbështetje e fuqishme e këtyre familjeve, sepse ato për një kohë, kanë larguar brengën e mungesës së ushqimit”, ka thënë Hajrullahu.

Ndryshe qëllim i kësaj organizate është që familjet skamnore, të ndihmohen në këtë muaj të shenjtë të ramazanit, ndërsa pakot ushqimore përmbajnë gjërat elementare për një familje./21Media