Shpërndarja e vaksinave në BE, Leyen: Numri mujor do të dyfishohet

 

 

Shpërndarja e vaksinave për muaj do të dyfishohet brenda Bashkimit Evropian. Kështu ka thënë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Siç bëhet e ditur, ajo u tha gazetave Stuttgarter Zeitung dhe Stuttgarter Nachrichten në një intervistë të botuar sot se “një mesatare prej rreth 100 milionë doza” do të dorëzohen në bllok në muaj në tremujorin e dytë, për të arritur “një total prej 300 milionë deri në fund të qershorit”.

Sipas Brukselit, blloku kishte marrë 51.5 milionë doza në muaj deri më 26 shkurt, përcjell rtv21.tv

Brukseli ka koordinuar strategjinë e vaksinimit të bllokut dhe ka arritur marrëveshje me kompani farmaceutike për të furnizuar 27 vendet anëtare.

Por blloku është kritikuar ashpër për shpërndarjen e ngadaltë të vaksinave, e cila u shtua në fillim të janarit nga Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca/Universiteti i Oksfordit, që njoftuan për vonesa. Përpos këtyre dy vaksinave, Bashkimi Evropian ka miratuar edhe atë të Modernas.

Këtë javë pritet vendimi edhe në një vaksinë të katërt, atë të kompanisë Johnson & Johnson.

Ndryshe, që nga 6 marsi, rreth 40.2 milionë doza ishin administruar në 27 vendet e BE-së krahasuar me 87.9 milionë në SH.B.A. dhe 22.9 milionë në Mbretërinë e Bashkuar, sipas të “Our World in Data”.

Deri më tani në Evropë nga koronavirusi janë infektuar më shumë se 35 milionë persona. Nga ta mbi 835 mijë kanë vdekur, teksa 24 milionë e 700 mijë janë shëruar. Raste aktive mbesin edhe 9.6 milionë.

Në gjithë botën numri i personave të infektuar është rreth 117 milionë. Të vdekur nga COVID 19 regjistrohen më shumë se 2 milionë e 600 mijë persona, teksa të shëruar janë rreth 93 milionë. Raste aktive mbesin edhe gati 22 milionë pacientë./21Media

Back to top button