Shpërtheu bomba në një veturë në Mitrovicë

Një bombë ka shpërthyer sot rreth orës 13:20 në një veturë në Suhudoll të Mitrovicës, ku përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar.
Bomba ka shpërthyer në automjetin wolksvaven TDI Pickup me ngjyrë të kuqe dhe me targa 02 609 ED, por për fat të mirë përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar.
Vozitësi i këtij automjeti, Bekim Aliu ka bërë të ditur për Kp se dikush i ka vënë bombën automjetit në rrotën e pasme dhe në momentin kur ai është nisur bomba ka shpërthyer.
“Nuk e di kush e ka bërë, askujt borxh s’i kam. Shyqyr kam shpëtuar dhe vetëm xhamat më janë thyer”, ka thënë Aliu.
Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është duke zhvilluar hetimet.
Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti ka deklaruar  se deri tani nuk dihet motivi dhe as autori i këtij incidenti. “Policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe po punon intensivisht për zbardhjen e kësaj ngjarje”, ka deklaruar Hoti.

Back to top button